Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka dhënë detaje për vrasjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve sot në Mitrovicë, duke informuar se me të dyshuarin ka qenë edhe një zyrtar policor jashtë detyrës, por sipas informacioneve të para i njëjti nuk është kryerësi i vrasjes.

Prokuroria ka potencuar se sot rreth orës 11:30 si pasojë e një konflikti të çastit në Tregun e Gjelbërt në Mitrovicë, një person ka mbetur i vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur, njëri prej të cilëve kalimtar i rastit.

“I dyshuari për këtë rast është arrestuar nga policia dhe ndaluar me vendim të prokurorit. Të plagosurit janë dërguar për trajtim të mëtejmë në Spitalin e Mitrovicës, ndërkaq trupi i të vrarit me urdhër të prokurorit është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Prokuroria njofton opinionin se me të dyshuarin ka qenë edhe një zyrtar policor jashtë detyrës, por sipas informacioneve të para i njëjti nuk është kryerësi i vrasjes. Rasti është kualifikuar “Vrasje e rëndë”, dhe është duke u hetuar nga Prokurori i Shtetit në koordinim me Njësitin e Hetimeve Rajonale të Policisë në Mitrovicë”, është bërë e ditur në njoftim.