Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë të ditur se do të ftojë 16 dëshmitarë në rastin e Salih Mustafës në Hagë.

Prokurori i rastit ka thënë sot në paraqitjen publike që po mbahet në Hagë se mbështeten në 5 dëshmitarë sa i përket qëllimit të aktakuzës, ku shtoi se pastaj do të shtohen edhe 11 dëshmitarë.

Ndërsa bëri të ditur se do të paraqiten edhe prova materiale që përfshijnë intervista, fotografi dhe videomateriale të asaj kohe.

Mustafa, 48-vjeç, u arrestua më 24 shtator në Prishtinë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi, urdhri për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.