Me ngritjen e 298 aktakuzave ndaj zyrtarëve të nivelit lokal dhe qendror është dëshmuar se personat me pozita të larta nuk janë të paprekur, kështu ka deklaruar Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni.

Në konferencën vjetore, Hyseni duke prezantuar punën njëvjeçare të KPK-së ka thënë se janë zgjidhur 83.65 për qind të rasteve lidhur me korrupsion, 220 nga 263 rastet.

“189 aktakuza janë ngritur ndaj zyrtarëve të nivelit lokal dhe 109 ndaj nivelit qendror, shumica për vepra penale që bëjnë pjesë në kapitullin e veprave korruptive. Kjo tregon se personat me pozita të larta nuk janë të paprekur”, ka deklaruar Hyseni.

Hyseni ka treguar se Këshilli ka qenë pjesë e gurpit punues për vettingun, dhe sipas tij, kanë kontribuar përmes prokurorëve në rishikimin funksional të sundimit të ligjit.

Sipas Hysenit, si sfidë kryesore e punës së KPK-së,  ka qenë situata me COVID-19, mosplotësimi i përbërjes së këshillit me dy anëtarë, buxhetin e pamjaftueshëm për të mbuluar obligimet, mungesën e legjislacionit për rregullimin e ekspertizave, mosrespektimin e parimit të transparencës, infrastrukturën fizike, pezullimin e ligjit për zyrtarët publik.

Sa i përket buxhetit, buxheti fillestar i Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2020 ishte 15,021,835.00 euro e që është për 6% më i lartë në krahasim me vitin e kaluar.

Mirëpo, me rishikimin e buxhetit si dhe me vendim të Qeverisë për kursime buxhetore, buxheti i Këshillit është zvogëluar për 1,557,396.14 euro apo 10%. Aktualisht, buxheti përfundimtar i sistemit prokurorial është 13,464,438.86 euro.