Promovohet libri biografik për ish-presidentin Hashim Thaçi

Në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe në mesin e bashkëluftëtarëve, bashkëpartiakëve, miqve e bashkëpunëtorëve është promovuar libri “Shteti i ri, burrë shteti modern: Hashim Thaçi, një biografi”, nga autorët Roger Boyes dhe Suzy Jagger.

Pjesëmarrësit folën për veprimtarinë e ish-luftëtarit dhe ish-presidentit, teksa u shprehën të bindur se ai dhe të tjerët do të triumfojnë përballë drejtësisë në Hagë.

Libri i gazetarëve britanikë në gjuhën shqipe është sjellë nga shtëpia botuese “Fan Noli”, derisa përkthimi i tij është bërë nga ish-kryediplomatja e Shqipërisë, Arta Dade.

Në fjalën e tij, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha se gjatë luftës gjithë ushtarët përpiqeshin të derdhin gjak që vendi i tyre të jetë i lirë. Ai u shpreh i bindur se të gjithë ish-çlirimtarët do të triumfojnë përballë drejtësisë.

“E tërë lëvizja çlirimtare hartoi postulatën që lufta jonë është çlirimtare, lufta jonë nuk është hakmarrje dhe do të respektojë të gjitha komventat ndërkombëtare, dhe këtë postulatë e kanë mbështetur edhe këta djemë të cilët sot po përballen me drejtësinë në Hagë. Këta çlirimtarë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Salih Mustafa. Ne nuk e kontestojmë drejtësinë ndërkombëtare, por ama të përballemi me këtë… Drejtësia vendoset duke dënuar të padrejtin dhe jo të drejtin e çlirimtarin. Cila do te ishte porosia për çlirimtarët në të gjithë botën, që mund ende të mos kenë fituar pavarësinë, se çlirimtarët po dënohen?”, deklaroi Ahmeti.

Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi u shpreh se të gjithë do të donin që sonte të mos mungonte ish-presidenti, Hashim Thaçi. Sipas tij, vepra e këtij të fundit do të mbetet e shënuar përgjithmonë.

“Me 16 shkurt 2008, përkundër peshës së madhe historike, kryeministri Thaçi po përkujdesej për detaje për ditën e madhe që po na priste nesër, edhe pse teknikisht gjithçka ishte përgatitur e koordinuar dikur në orët e vona të mbrëmjes ai kishte edhe një kërkesë. Të gjithë ne kishim menduar se kishim harruar ndonjë gjë apo kishte edhe ndonjë hap procedural që duhet përfunduar, por në fakt kërkesa e tij më shumë edhe si deshirë ishte që ta takonte atë natë në zyre simbolin e rezistencës të popullit tonë Adem Demaçin. Baca Adem personifikonte qëndresën, sakfrificën dhe përpjekjen e madhe për arritjen e asaj dite dhe kryeministri kishte vendosur që atë ditë t’i tregonte për gjithçka që do të ndodhte të nesërmen dhe kështu baca Adem, ndjestë pastë, erdhi në kryeministri. Aty kryeministri Thaçi e priti dhe e informoi për detajet e ditës së nesërme. Nga fundi i takimit ia shpalosi edhe flamurin e Republikës që do shpallej as më pak se 20 orë. Të dy ishin të emocionuar fort, ishte një ndër skenat me sureale që kisha parë gjatë jetës sime, dukej sikur po shkriheshin e po bëheshin një dy epokat e historisë sonë, sikur po shpaguhej vuajtja e sakrifica e popullit tonë”, shprehet Krasniqi.

Tutje, Krasniqi shtoi se aktualisht Kosovës po i mungon partneriteti ndërkombëtar. Ai theksoi se Thaçi ishte i vendosur që Kosovën ta nxjerrte nga “lloqi e terri”.

Kurse, Nevenka Tromp, e cila punoi për shumë vite në Tribunalin e Hagës për Ish-Jugosllavi u shpreh se vuajtjet dhe sakrificat e popullit shqiptar çuan në çlirimin e popullit të Kosovës.

“Vendosmëria e Kosovës për të anuar kah bota e lirë dhe demokracia liberale nuk ishte thjesht çështje e pasigurisë në kohën kur forcat e armatosura të Kosovës filluan të luftojnë kundër forcave të sigurisë së Serbisë në vitet ’90 dhe kishin nevojë për mbështetjen ushtarake të një aleati të fuqishëm si Shtetet e Bashkuara dhe NATO. Ishte një hap i rëndësishëm qytetërues për Kosovën që e lidhi qartë shtetësinë e saj me standardet e larta që demokracia liberale avancoi në nivel kombëtar, por edhe përmes rendit liberal ndërkombëtar. Dhe Kosova u zotua dhe qëndroi në këtë rrugë, që të bëhet një demokraci liberale dhe… ajo ndjek rrugën e bashkëpunimit dhe jo të konfrontimit. Kjo gjithashtu do të thotë se Kosova si shtet ka miratuar të gjitha standardet e larta të sundimit të ligjit, të përcaktuara nga Komisioni i Venecias dhe BE-ja dhe është zotuar të organizojë shoqërinë dhe institucionin e saj politik në mënyrë të përshtatshme”, u shpreh ajo.

Diplomatja Arta Dade teksa foli për rëndësinë e librit u shpreh se i njëjti tregon për dashurinë e madhe ndaj Drenicës, familjes dhe prindërve.

“Unë mendoj që ky libër do të jetë një material i shkëlqyer për të ju dhënë brezave të rinj. Për më tepër se liria është e çmuar dhe liria nuk fitohet aq lehtë dhe për më pak nuk mbahet aq lehtë. Ngjarjet e fundit tregojnë që duhet të ndërgjegjësojmë brezin e rinj”, u shpreh ajo.

Një recension të këtij libri e ka bërë edhe publicisti, Blerim Shala, i cili tha se liria e Kosovës është një mrekulli.

“Prezantimi i librit nisi këtu me një rikaputillim. Shqiptarët ditën kur të bëjnë politikë. Shqiptarët ditën kur ta nisin luftën dhe kur ta përfundojnë atë. Shqiptarët e Kosovës ditën kur të jenë të moderuar dhe kur të bëhen radikal”, tha ai.

E Rexhep Hida nga shtëpia botuese “Fan Noli” nga Shqipëria tha se rëndësia e këtij libri rritet dyfish, meqë promovohet në vigjilje të 16-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Back to top button