Libri kushtuar Shaban Morinës

Libri kushtuar Shaban Morinës

Në Klinë sot është promovuar libri monografik “Dy plisbardhët” i autorit Habib Zogaj.

Autori ua ka kushtuar librin Shaban Morinës, i njohur në rrethin e tij si Shaban Loshi, personalitet që njihet për rezistencë ndaj pushtuesit serb me tërë familjen e tij, dhe Haradin Morinës, i njohur si Haradin Ajeti, i cili me mençurinë dhe fisnikërinë e tij u bë shembull i njeriut paqësor dhe atdhedashës.

Redaktori i librit, Imer Pantina ka vlerësuar se sistemin e sjelljes qytetare rëndom e ndërtojnë (sistemojnë) elitat udhëheqëse shoqërore, dhe akademitë intelektuale dhe pedagogjike, që i vë në funksion një shoqëri e organizuar.

“Kështu, në këtë libër biografik, autori Habib Zogaj  ka sjellur rrëfenjën për dy protagonistë (Dy plisbardhët siç i quan ai), të cilët rrugëtuan aq natyrshëm në mjedisin e tyre, fshatin dhe rrethin e tyre, shpeshherë të mbuluar me turbulenca të vështirëjetueshme që kishte imponuar sistemi shtetëror shtypës, por edhe ambient i ngurtë provincial të cilin sistemi shtypës ishte munduar ta linte në injorancë, ose mbase ta asimilonte tërësisht”, ka vlerësuar Pantina.

Ai vlerësuar se në libër dy figurat autori i shpërfaq aq natyrshëm, përmes rrëfimeve të të njohurve të tyre, madje, në shumë vende përmes ligjëratës së drejtë, duke ruajtur të folmen dialektore dhe natyrshmërinë rrëfimtare gojore, që gjallojnë në tekst me shumë tipare nga jeta e tyre.

Kurse autori i librit, Habib Zogaj është shprehur se ndjehet mirë kur është i rrethuar “nga miq e lexues që të ndjekin pas”, ndërsa ka falënderuar recensentin prof. Hajdin Morina, redaktorin prof. Imer Pantina dhe kryetarit të Komunës së Klinës, Zenun Elezaj.