Shefja e Policisë së Atlantës ka dhënë dorëheqjen pas të shtënave fatale mbi një afrikano-amerikan i cili kishte rënë në gjumë në makinën e tij në një restorant ku merret ushqimi me vete.

Komandatja e policisë në Atlanta të Shteteve të Bashkuara, Erika Shields, ka dhënë dorëheqje pas vrasjes së afrikano-amerikanit 27-vjeçar, Rayshard Brooks, i cili kishte fjetur në veturë.

Rayshard Brooks, 27 vjeç, u qëllua nga një oficer policie gjatë një përplasjeje mes tyre të premten në mbrëmje, transmeton rtv21.tv.

Vdekja e Brooks ndezi zemëratën e banorëve, në mesin e një situate të tensionuar tashmë nga episodi i George Floyd. Protestuesit në Atlanta dolën në rrugë këtë fundjavë duke bërë thirrje për veprim pas asaj që ndodhi me 27 vjeçarin.

Kryetarja e qytetit, Keisha Lance Bottoms, tha se Erika Shields e ka ofruar dorëheqjen e saj. Lance Bottoms tha se Shields dëshironte që Atlanta të jetë një shembull për reformat e vërteta dhe sesi duhet të duken ato në mbarë vendin, ndaj vendosi ta jepte menjëherë dorëheqjen, në mënyrë që të rikrijohet me urgjencë besimi aq i nevojitur në komunitetet e prekura

Protestuesit në Atlanta dolën në rrugë gjatë fundjavës për të kërkuar masa pas vrasjes së të riut amerikan.

Të shtunën në mbrëmje, ata e bllokuan një autostradë të rëndësishme dhe ia vunë flakën restorantit para të cilit u vra Brooks.

Erika Shields ka shërbyer si komandante e policisë në Atlanta që nga dhjetori i vitit 2016 dhe ka punuar në Departamentin e Policisë për më shumë se 20 vjet. Kryetarja e qytetit bëri të ditur se ish-komandantja do ta vazhdojë punën në polici nga një tjetër pozitë.

Njëri nga policët e përfshirë në të shtëna, Garret Rolfe, është shkarkuar, ndërsa një tjetër, Devin Bronsan, është pezulluar. Polici i shkarkuar kishte shërbyer në uniformë për gjashtë vjet./21Media