Mijëra protestues dolën në rrugët e Hong Kongut në shenjë proteste kundër planit të Pekinit për vendosjen e ligjit të ri për siguri nacionale në territorin gjysmë-autonom.

Demonstrantët u mblodhën në distriktet Causeway Bay dhe Wan Chai duke brohoritur parulla antiqeveritare, ndërsa mund të dëgjoheshin edhe parullat “Qëndro me Hong Kongun” dhe “Shpëto Hong Kongun”.

Automjetet me topa uji dhe autoblindat u vërejtën rreth Causeway Bay, kurse policia në Wan Chai gjuajti gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e mbledhur të njerëzve. Rreth 120 persona u arrestuan, duke përfshirë edhe aktivistin e shquar prodemokratik Tam Tak-chi.

Po ashtu, katër policë u lënduan nga demonstrantët që hodhën tulla, thanë zyrtarët, transmeton rtv21.tv.

Një projekligj për vendosjen dhe përmirësimin e sistemit ligjor dhe mekanizmave të zbatimit për Hong Kongun u dërgua në Kongresin Kombëtar të Popullit të Kinës (NPC) për diskutim të premten për të ndryshuar statusin afatgjatë të territorit.

“Rreziqet gjithnjë e më të dukshme të sigurisë kombëtare në rajonin e veçantë administrativ të Hong Kongut janë bërë problem i madh”, tha nënkryetari i Këshillit të Përhershem kinez të Kongresit Kombëtar të Popullit të Kinës./21Media