Forca të shtuara të Policisë janë duke e ruajtur objektin në Beograd, ku ka filluar festivali “Mirëdita, dobar dan!”, i cili publikut ia prezanton skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës.

Festivali mbahet që nga viti 2014 dhe atë e organizon Iniciativa e të rinjve për të drejta të njeriut. Festivali do të zgjasë deri më 24 tetor.

Kundër mbajtjes së këtij festivali janë duke protestuar organizatat djathtiste. Disa qindra njerëz, të udhëhequr nga kryetarja e partisë së djathtë serbe “Zavetnici”, Milica Gjurgjeviq Stamenkovski, janë mbledhur rreth orës 18:00, kur qe paralajmëruar edhe hapja e festivalit.

Megjithatë, kordoni i policisë po qëndron në mes të protestuesve dhe objektit ku po mbahet festivali. Festivali po mbahet në Qendrën për dekontaminim kulturor.

Protestuesit po valëvisin flamurin e Serbisë dhe të partisë “Zavetnici”, po mbajnë pankarta me fotografi të manastireve që gjenden në Kosovë dhe po brohorasin parulla për Kosovën dhe komente fyese ndaj pjesëmarrësve të këtij festivali.

Një incident i vogël ka ndodhur gjatë hapjes së festivalit, kur një person është shoqëruar nga policia, pasi ka ndërprerë për një kohë të shkurtër ceremoninë hapëse, duke bërtitur “Kthemi në Kosovë”./REL