Me moton “Unë jam zani yt”, “Vajzat e Mitrovicës” të cilat veprojnë në kuadër të organizatës joqeveritare Community Buillding Mitrovica (CBM), përfaqësues të institucioneve, aktivistë, si dhe një numër i qytetarëve, kanë protestuar sot kundër dhunës seksuale ndaj vajzave të mitura, duke shprehur kështu indinjatën e tyre ndaj institucioneve përkatëse të sigurisë në qytetin e Mitrovicës.

Ata kanë marshuar nga oborri i Komunës së Mitrovicës dhe janë ndalur para Gjykatës Themelore, duke brohoritur “Respekto vajzat”, “Pse nuk reagove kryetar”, “Dhuna nuk arsyetohet” etj, ndërsa mbanin edhe pankarta me mbishkrime të ngjashme, përcjell kp

Armela Hajra, njëra nga aktivistet e grupit ‘Vajzat e Mitrovicës’, tha se vajzat ndihen të shqetësuara me rastet e fundit të dhunimeve, ngacmimeve e përdhunimeve.

“Ne jemi këtu sot, të shqetësuara me rastet e fundit të dhunimeve, ngacmimeve e përdhunimeve. Jemi këtu në shenjë revolte, për të brohoritur edhe një herë se dhunimi është krim”, ka thënë Hajra.

Lule Uka, një aktiviste tjetër, potencoi se “Unë jam zani yt” është parulla e kësaj proteste, “viktima nuk ka faj” është porosia, derisa bëri thirrje që të gjithë së bashku pa dallim gjinie, të jenë zëri i përbashkët i viktimave.

“Ne vajzat e Mitrovicës jemi këtu sot për të thënë se jemi bashkë me djemtë dhe burrat që duan drejtësi dhe barazi. ‘Unë jam Zani yt’ është parrulla, viktima nuk ka faj është mesazhi, dhe tani t’ju tregojmë të gjithëve se ne jemi zani i viktimave”, theksoi Uka.

Edhe Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Valdete Idrizi, e cila ishte pjesëmarrëse në këtë protestë, ka bërë të ditur për KosovaPress se është e rëndësishme të ngritet zëri nga të gjithë, për të qenë zë i përbashkët i viktimave.

Sipas saj, kjo çështje është ngritur edhe në komisionin për të drejtat e njeriut duke organizuar aktivitete të panumërta, si dhe platforma të ndryshme, në funksion të ngritjes së vetëdijes edhe tek institucionet.

“Konsideroj se është shumë e rëndësishme që të ngrehim zërin në mënyrë që të gjithë së bashku të jemi zëri i viktimave. Unë si deputete e komisionit për të drejtat e njeriut e kam ngritur këtë çështje, kemi pasur aktivitete të panumërta si në komision ashtu edhe në platforma të ndryshme thjeshtë që ta ngrisim këtë vetëdije në nivel të institucioneve”, u shpreh Idrizi.