Stafi mbështetës shëndetësorë kanë protestuar sërish për mos-marrjen e shtesave në paga. Këta të fundit mëngjesin e sotëm e kanë bojkotuar punën për një orë, dhe në rast të mos plotësimit të kërkesave brenda javës, ata kanë paralajmëruar bojkot total.

Për të tretën herë me radhë, me dhjetëra punëtorë teknikë të SHSKUK-së dhe QKUK-së po protestojnë me kërkesën e njëjtë, meqë sipas tyre të njëjtit janë diskriminuar pasi nuk kanë marrë shtesat prej 300 euro nga Ministria e Shëndetësisë.

Përfaqësuesi i administratës, Kastriot Gjoshi tha se atë që po e kërkojnë ata aktualisht, ishte premtim i menaxhmentit dhe ministrisë.

“Ne po kërkojmë, vetëm një kërkesë e kemi, dhe ajo kërkesë është shtesa prej 300 eurove që nuk është paguar nga menaxhmenti dhe nga ministria. Gjë që është premtuar për të gjithë këta punonjës. Këta punonjës janë demoralizuar dhe diskriminuar për shtesën që është ndarë për disa kategori. Si është e mundur që të njëjtën objekt, me të njëjtit pacientë të të njëjtat hapësira të punojmë të gjithë, dhe të dallohen disa individë. Neve nuk na diskriminoi, nuk na pyeti COVID-i, nuk na diskriminoi, të gjithë ishim të njëjtë. Si është e mundur atëherë kur menaxhmenti dhe qeveria ose MSH nuk na ktheu një përgjigje për këtë javë që i japim si ultimatum”, theksoi ajo.

Mëngjesin e së martës ata pasi nuk u plotësuan kërkesat e tyre, kanë bojkotuar punën për një orë, në përjashtim të rasteve emergjente.

Stafi mbështetës i ka dhënë ultimatum një javë menaxhmentit dhe ministrisë, në të kundërtën do të bojkotojnë tërësisht punën.

“Ne i japim kohë, kemi kërkuar nga protestuesit që një javë të japim kohë ministrisë dhe dhe menaxhmentit të reflektojë. Përndryshe nëse nuk reflekton brenda javës së ardhshme ne do të vazhdojmë, nëse është nevoja, edhe bojkot të punës komplet tërë ditës. E vetmja kërkesë është të paguhet shtesa prej 300 euro, dhe të marrim përgjigje sa më të shpejt dhe me prioritet prej menaxhmentit dhe qeverisë”, ka shtuar ai.

Nezir Sopi, i cili është vozitës në qendrën emergjente ka thënë se gjatë kësaj kohe kanë bartur shumë të infektuar me COVID-19. Për këtë, ai theksoi se janë diskriminuar me mos marrjen e këtyre shtesave.

“Në qoftë se nuk bëhet kjo kërkesë shumë shpejt, ne si vozitës e kam këtu Mitrovicën, Vushtrrinë, Fushë-Kosovën, Gjakovën, ne pikërisht do të bojkotojmë auto-ambulancat. Asnjë lëvizje nuk do të bëhet, asnjë shërbim nuk do ta kryejmë. Në qoftë se mundet një shërbim brenda të kryhet pa auto-ambulancë, vazhdoni”, ka theksuar ai.

Shabih Krasniqi punon në të njëjtin objekt ku po trajtohen rastet intensive të infektuar me COVID-19, për çka tha se janë shumë të rrezikuar.

“Drejtpërdrejt prej intensives qendrore, kemi ardhur veç për protestë. Kërkojmë falje nëse infektohet dikush prej neve. Ne jemi prej sallës”, tha ai.,

E, shërbyesja e ushqimit, Valdete Bunjaku ka kërkuar përgjigje nga menaxhmenti për këtë diskriminim. Ajo ka treguar se kanë punuar gjatë gjithë kohës së pandemisë.

“Pse ne jemi të diskriminuar kur ne jetojmë në një shoqëri ku është demokratike. Pse po na ndajnë në shtresa, kjo është si me qenë në kohë të feudalizimit. Edhe plus asaj jemi deri në minutë të fundit na është premtuar që do të na paguhet kjo. Kemi punuar në çdo klinikë pa orë të caktuar, non-stop kemi qenë në punë. Pse neve me na diskriminuar neve, kërkojmë një përgjigje”, ka thënë ajo.

Një protestues tjetër nga Klinika e Gjinekologjisë, Hilmi Hyseni tha se ka pasur raste gjatë pandemisë, që kishin ecur edhe në këmbë për të ardhur në punë, vetëm që të jenë në krye të detyrës. E kjo ndarje sipas tij, është e pakuptueshme.

“Vetëm në Gjinekologji 11 mijë e 150 pranime janë, ne ato letra i kemi pasur nëpër duar. Shërbyesit me paciente kanë pasur punë, sigurimi si të hyn në derë, pala me COVID. Sa ka qenë edhe COVID-i, kush nuk ka pasur makina jemi ardhur, edhe nuk jemi ndarë kurrë. Sot me na nda është shumë keq. Ne jemi shumë të prekur, pse me na nda”, ka thënë ai.

Gjoshi ka potencuar se punonjësit teknikë janë edhe të kërcënuar nga menaxhmenti, se kush do që del në protestë do të largohet nga puna. Kjo është protesta e tretë e punonjësve teknikë të ShSKUK-së dhe QKUK-së, ku të njëjtit po shprehin pakënaqësitë e tyre për mos marrjen e 300 eurove shtesë nga shteti./kp