Mijëra simpatizantë të Partisë Socialiste të Shqipërise mbushën sheshin “Skëndërbej” për të festuar fitoren në zgjedhjet e 25 prillit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama  tha se kjo ishte fitorja më e vështirë por më madhe dhe e bukur e PS.

E ndërsa këto zgjedhje prodhuan numrin më të madh të votave të pavlefshme, Rama la të kuptohet se këto ishin të PS, por pavarësisht kësaj arritën të thyenin rekordin historik.

Pas kësaj fitorje, Rama nuk harroi të falenderonte edhe ata që ishin kryefjalë e këtyre zgjedhjeve, patronazhistët e PS.

Edi Rama: Kjo është fitorja më e vështirë, më e madhe dhe më e bukur e PS.Me gjithë numrin marramendës të fletëve të pavlefshme të atyre që kanë zgjedhur 12 po kanë gabuar me shenjën e preferencës, ne e kemi thyer rekordin  tonë.

Ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe njerëzish të zakonshëm me fuqinë e jashtëzakonshme të ambicieve për Shqipërinë dhe të një shpirti gare që nuk ka të dytë në këtë vend. Urime me gjithë shpirt dhe një përqafim të madh. Të gjithëve ju këtu dhe kudo unë jam sot krenar si asnjëherë për ju, për çdo vajzë dhe djalë, grua dhe burrë që u angazhua si patronazhist, kordinator./oranews