“Pse po e mbroni kaq shumë”, Krasniqi përmes videos i bën Kurtit disa pyetje për Martin Berishajn

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka thënë se kryeministri i vendit Albin Kurti po hesht për aferën e Ambasadorit Martin Berishaj dhe po e mbron atë. “Ndërsa, qytetarët po e kërkojnë të vërtetën dhe ata meritojnë ta dinë tregimin e plotë lidhur me këtë aferë”, ka shkruar Krasniqi krahas video së publikuar sot në Facebook, përmes së cilës i është drejtuar kryeministrit Kurti me një varg pyetjesh.
Krasniqi ka theksuar se mbi dy milionë euro i janë dhënë mikut të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Martin Berishaj nga një kompani energjetike sllovene, me degë në Serbi, dhe se nuk dihet se ku kanë përfunduar.
“Kjo aferë e Martin Berishajt, e raportuar në media ndërkombëtare, ngre dyshime serioze për Qeverinë e Kosovës. Si mund të flitet për respektimin e shtetit të së drejtës, ndërkohë që përfaqësuesit më të lartë të shtetit tonë përfshihen në afera të tilla financiare dhe ata mbrohen nga krerët e shtetit? Si e ndikon ky skandal imazhin e shtetit tonë, tani kur jemi në prag të liberalizimit të vizave dhe kur kemi aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian?”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi tutje ka thënë se qytetarët me të drejtë po pyesin dhe meritojnë të dinë se si u bë që Berishaj për një ditë e mori nënshtetësinë e Kosovës e të nesërmen u emërua Ambasador në Kroaci, si e kaloi ai verifikimin e sigurisë nga institucionet përgjegjëse të vendit, si është e mundur që Qeveria po e mbron Berishajn me kaq besnikëri në vend se ta shkarkojë e ta sjellë në Kosovë për hetime serioze, çka di kryeministri për pohimet se milionat e Berishajt janë përdorur për fushata zgjedhore në Kosovë, si dhe a mori GEN-I, me degë në Serbi, kontrata në Kosovë si “shpërblim” në këmbim të parave që ia dha Berishajt?./21Media

Back to top button