Gjykata Speciale, ka njoftuar zyrtarisht se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi akuzohen për vrasje, trajtim mizor, zhdukje me forcë të personave në periudhën mars 1998-shtator 1999.  Ata akuzohen për vrasje në Shqipëri, e është përmendur se ndër viktimat kanë qenë edhe anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas konfirmimit se të katër këta zyrtarë janë transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, Specialja ka publikuar aktakuzat ndaj tyre.

“Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes. Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së. Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së”, thuhet në përshkrimin e shkurtër që Specialja i ka bërë aktakuzës.

Specialja ka thënë se do të njoftojë me kohë për datën dhe orarin e paraqitjeve të para të tyre para gjykatësit të procedurës paraprake./21Media