Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka publikuar sot manualin për mbrojtje ndaj Covid-19. Zemaj tha se ky është një dokument dinamik i cili do të përditësohet varësisht nga situata epidemiologjike dhe vlerësimi i rrezikut.

Sipas Zemajt, manuali përmban udhëzues të hartuar nga fusha të ndryshme të cilët paraprakisht janë analizuar dhe vlerësuar nga profesionistët shëndetësorë të Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publik të Kosovës të aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Manuali është përgatitur në bazë të njohurive ekzistuese në lidhje me sëmundjen e koronavirusit 2019 (COVID-19) dhe duke shfrytëzuar udhëzimet e institucioneve më të besueshme si OBSh dhe CDC.

Ky Manual i përkohshëm mund të ndihmojë parandalimin e ekspozimit në COVID-19 dhe përmban udhëzime për në vendet e punës; për mjedise jo-mjekësore; për qendrat tregtare dhe gastronominë; për pasagjerët dhe personelin e aviacionit civil; për udhëtimet zyrtare; për grupet vulnerabile (grupet e ndjeshme); udhëzime për vendvotimet si dhe shumë udhëzime të tjera të dobishme për qytetarët dhe veprimtaritë e liruara si dhe për veprimtaritë që do të lirohen në të ardhmen”, shkroi mes tjerash Zemaj në Facebook.

I pari i shëndetësisë ka kërkuar nga të gjitha institucionet ta zbatojnë këtë manual, i cili flet në detaje rreth pandemisë dhe udhëzimeve./21Media