Është publikuar posteri dhe traileri i filmit artistik i metrazhit të gjatë “I treturi” i regjisorit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Arben Thaçi. Skenari i filmit është shkruar nga regjisori, i cili  për krijimin e skenarit është bazuar në romanin e Abdylazis Islamit “Të treturit e Projanës”.

Filmi është dramë psikologjike, e ngjarja është vendosur në periudhën e fundit të luftës së Dytë Botërore.

“I treturi” është prodhim kinematografik i produksionit Arbfilm financuar nga Agjencioni i Filmit i Maqedonisë së veriut ndërkaq si bashkëprodhues minor është përfshirë  Qendra Kinematografike e Kosovës, përmes Ikone Studio me producentët: Valon Bajgora, Yll Uka dhe Agon Uka, si dhe Qendra Kinematografike Kombëtare e Shqipërisë përmes produksionit B&G Film Pro, me producent Besnik Bisha.

Aktorët e përfshirë në këtë projekt janë emra të njohur nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, si: Sotiraq Bratko, Eva Alikaj, Kejdi Ademi, Sokol Monallari, Afrim Muçaj, Sheqerije Buçaj, Selman Lokaj, Blerim Ismani, Arsim Fazlia, Selman Jusufi, Adem Karaga, Refet Abazi, Neritan Liçaj, Enis Murati, etj.

Autorët tjerë të filmit janë: Vlatko Samoilovski, drejtor fotografie; Bilgaip Koçishta, në funksion të skenografit; kostumet janë dizajnuar dhe përgatitur nga Albulena Borovci dhe muzika është komponuar nga Trimor Dhomi./21Media