Konstituohet Komisioni i përbashkët Parlamentar për Stabilizim Asociim BE – Kosovë, puna e parë plani kombëtar për zbatimin e MSA-s

Komisioni i përbashkët Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE – Kosovë ka mbajtur mbledhjen konstituive, ku u tha se çështja më urgjente e këtij komisioni është plani kombëtar për zbatimin e MSA-së.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se pesha e këtij komisioni është shumë e madhe, pasi që, siç tha ajo, është e domosdoshme që të tejkalohen dallimet politike dhe të ketë përafrim të plotë me politikat e BE-së.

Ajo foli edhe për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, për çka tha se Kosova merr përsipër një mori obligimesh për reforma në drejtim të vendosjes së një ekonomie funksionale të tregut.

“Është marrëveshje që synon të rregullojë raportet Kosovë-BE që nga dita e nënshkrimit deri në ditën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, synon të mbështes tranzicionin ekonomik të Kosovës dhe të mundësojë integrimin e saj në tregun e Bashkimit Evropian, zhvillimin e nga dialogu politik deri në marrëdhëniet rajonale”, tha ajo.

Kryetari i këtij komisioni, Kujtim Shala bëri të ditur planet afatshkurtra të këtij komisioni, teksa shtoi se deri javën tjetër duhet të shihet se çka mund të bëjnë si komision lidhur me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

“Ajo çka na pret neve më urgjente është plani kombëtar për zbatimin e MSA-së, i cili na ka ardhur nga Qeveria e Kosovës”, tha ai.