Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës edhe njëherë ka paraqitur problemet me të cilat po përballen punëtorët e sektorit privat në Kosovë. Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi nëpërmjet një konference për media derisa ka numëruar problemet me të cilat po përballen punëtorët e që thotë se nuk po ndihmohen nga shteti, ka nënvizuar edhe rastet kur punëtorët të cilët kishin dyshime se u infektuan nga COVID-19 nuk janë lejuar që të shkojnë deh të testohen. Veç kësaj ai thotë se shteti nuk bëri asgjë për punëtorët, dhe se nga pakot e miratuara nga Qeveria por edhe ajo në pritje e Rimëkëmbjes Ekonomike është ndihmesë vetëm për bizneset e jo edhe për punëtorët.

Azemi thotë se janë mbi 70 përqind e punëtorëve teknik dhe të sigurimit të cilët janë prekur nga COVID-19.“Arsyeja pse po mbajmë këtë konferencë është sepse gjendja e punëtorit në sektorin privat gjendjen e rëndon përpos COVID, tash edhe mbarimi i punës sezonale tek ndërtimtarët dhe tash është edhe një stres jashtëzakonisht shumë i madh tek këta punëtorët të cilët punuan deri tash dhe tash gjendja sezonale është ajo që i qetë në një pozitë të palakueshme. COVID-19 ka prekur një pjesë bukur të madhe të punëtorëve të sektorit privat të Kosovës për të cilët nëse flasim direkt nga institucionet publike shëndetësore, mbi 70 përqind të punëtorëve teknik dhe të sigurimit janë të prekur nga COVID-19”, tha Azemi.

Azemi ka treguar për rastet kur punëtorët e sektorit privat që kishin dyshime që janë të infektuar me COVID-19 nuk janë lejuar që të shkojnë të testohen por ka treguar edhe për disa raste që mirëmbajnë objektet shtetërore iu ka rënë të fikët e që pronarët e kompanive nuk i bartën as deri në emergjencë.“Kemi pas raste të shpeshta kur pronarët e kompanive edhe pse punëtorët e sektorit privat kanë shprehur dyshimet se ata janë të infektuar dhe kanë kërkuar që së paku të lejohen e të shkojnë të bëjnë analizat lidhur me këtë gjendje, por pronarët e kompanive nuk i kanë lejuar por kemi edhe raste kur në institucione shtetërore që punëtorët e sektorit privat mirëmbajnë objektet e ministrive përkatëse ka pas raste kur punëtorëve iu k rënë të fiktë nga pandemia dhe pronarët e kompanive jo vetëm që nuk kanë qenë afër tyre por as nuk i kanë bartur deri në emergjencë”, tregon ai.

Ai ka theksuar edhe se Qeveria e Kosovës nuk bëri asgjë për punëtorët e sektorit privatë.“Thuhet se pako emergjente ishte pako e cila i është dedikuar kryesisht punëtorëve. Ne me plotë përgjegjësi e themi se më shumë se 80 përqind e pakos ka shkuar prapë në kuletën e pronarëve të kompanive sepse në mënyrë retroaktive gjitha pagat që Ministria e Financave ka ekzekutuar pagat për sektorin privat ato në fund në mënyrë automatike janë tërhequr apo zbatuar nga pronari i kompanisë dhe nuk është përfituar asgjë”, tha Azemi.

Azemi edhe njëherë pati kritika ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës që nuk po arrijnë të kalojnë Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Ai thotë se ata po luajnë me ushqimin e fëmijëve që qëndrojnë në djep.“Po luajnë me fatin dhe po luajnë me ushqimin e fëmijës që qëndrojnë në djep. Është idiotizmi më i madh, kriminalizimi më i madh që po i bëhet këtij shteti për interesat e tyre partiake e politike e lanë shtetin në këtë gjendje çka nuk do t’ia kisha dëshiruar as shteteve armike. Po e bëjnë për pazare politike dhe tani për tani biznesi më i mirë është biznesi politik sepse po i bëjnë matematikat mes vete. Ndoshta do të kaloj kjo pako e Rimëkëmbjesh Ekonomike por ne nuk do të përfitojmë asgjë”, tha ai.

Megjithëkëtë Azemi kërkon që këta punëtorë të futen në listën e punëtorëve që paguhen me shtesë 150 euro.