Punëtorët e spitalit të Mitrovicës protestojnë kundër sulmeve fizike

Dënohet sulmi ndaj dy infermierëve

Punëtorët e spitalit rajonal “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, kanë protestuar sot para objektit të këtij spitali, në shenjë pakënaqësie për shkak të sulmit ndaj dy infermierëve në vendin e tyre të punës, nga familjarët e pacientëve.

Sabrije Hakaj, anëtare e Sindikatës së punëtorëve në këtë institucion, ka thënë se do të përdorin të autoritetin në mbrojtje të punëtorëvë shëndetësorë.

“Sindikata e spitalit e mbështetur edhe nga FSSHK organizon këtë protestë në shenjë të solidarizimit me profesionistët shëndetësorë të cilët u sulmuan dhe sulmohen në vende të punës, aty ku ata për çdo ditë me mundësinë dhe dijen e tyre shpëtojnë jetë. Sindikata e spitalit dhe FSSHK do të përdorë të gjithë autoritetin në mbrojtje të punëtorëve shëndetësorë dhe anëtarëve të saj”, ka thënë Hakaj.

Ajo kërkoi po ashtu nga pacientët dhe përcjellësit e tyre që të sillen drejt duke respektuar të drejtat e tyre me ligje, por jo duke sulmuar ata nga të cilët kërkojnë ndihmë.

Sami Thaçi, nga Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK), duke dënuar po ashtu sulmin ndaj kolegëve, ka bërë thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin veprime konkrete ndaj të gjithë atyre që sulmojnë profesionistët shëndetësorë. Sipas tij, rastet e tilla shtojnë pasigurinë dhe vetëm sa i kontribuojnë më shumë largimit të infermierëve nga vendi, dukuri kjo që po ndodhë kohët e fundit në Kosovë.

“OIK kërkon nga prokuroria dhe organet gjyqësore që të ndërmarrin veprime ligjore ndaj secilit që merr guximin të çojë dorë për të sulmuar fizikisht infermierët dhe profesionistët tjerë shëndetësorë… Ndryshe, Kosova edhe ashtu po përjeton një dramë të largimit të shumë infermierëve dhe rastet e tilla vetëm shtojnë pasigurinë dhe i kontribuojnë kësaj klime të largimit të infermierëve nga vendi”, theksoi Thaçi.

Ai ka kërkuar ngritjen e nivelit të sigurisë së punëtorëve në vendin e punës, qoftë edhe duke siguruar prezencë policore pranë shërbimeve emergjente.

Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, tha se policia ka reaguar menjëherë, duke arrestuar dy të dyshuarit për sulm ndaj punëtorëve të spitalit.

Ai shtoi se pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

“Veprimet policore kanë qenë të menjëhershme me ç’rast janë identifikuar dhe arrestuar dy persona në cilësinë e të dyshuarve, të cilët në bazë të hetimeve të deritashme, dyshohet se kanë sulmuar dy zyrtarë spitalorë në vendin e tyre të punës… Pas procedurave të nevojshme intervistuese, dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, sqaroi Zahiti.

Ndryshe, të mërkurën mbrëma rreth orës 20:00 janë sulmuar fizikisht infermierët F.M. dhe A.H., të cilët kanë marrë lëndime trupore dhe janë trajtuar në spital.

Back to top button