Punëtorët e Telekomit kanë përfunduar protestën para Qeverisë së Kosovës. Pas kësaj punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë hyrë në grevë e cila do të mbahet në ndërtesën e Telekomit të Kosovës. Kjo pasi ata nuk kanë marrë një përgjigje konkrete se kur do të bëhet zhbllokimi i llogarive të kësaj ndërmarrje dhe kur punëtorët do t’i marrin pagat e tyre.

Pas insistimit të protestuesve për tu takuar me përfaqësues të Qeverisë, para tyre doli ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi. Ai tha se janë dukë bërë përpjekje që të gjejnë një zgjidhje për punëtorët e Telekomit të Kosovës.

“Jemi duke bërë përpjekje maksimale që të rregullojmë këtë çështje…Jemi në përfundim të një procesi për ta rregulluar. Procesi është në përfundim të zgjidhjes së kësaj çështje. Do të jemi bashkë me ju për të gjetur një zgjidhje. Nuk mund të japim afat kohor”, tha ai.

Por atij i është përgjigjur kryetari i Sindikatës së Telekomit, Lamih Balaj, i cili tha se nuk do të shkojnë në takim dhe se me to janë lodhur.

“Ne po kërkojmë zgjidhje, por jemi afër nuk mund ta pranojmë. Nga këtu Prishtina sot hyn në grevë ndërsa regjionet nga nesër në grevë të përgjithshëm. Fjalë e llafe dhe një Devoll me luajt me një shtet ia pafshin hajrin”, tha ai.

Në protestë pati edhe përplasje mes zëvendëskryeministrit Besnik Tahiri dhe protestuesve, pasi që këta të fundit bënë thirrje “hajnat”, e që Tahiri reagoi duke thënë se ai nuk është hajn dhe ata që po thërrasin hajn janë më hajna se ai.

Kjo ka revoltuar protestuesit të cilët i kanë kërkuar që të kërkojë falje.

“Blerimi e ka arrit një marrëveshje dhe tash duhet në qeveri dhe këtë vendim duhet më marrë shpejt më së largu nesër. Unë do ta dërgojë tash një kërkesë tek qeveria tek kryeministri dhe të zgjidhet nesër”, tha ai.