Kosova në kohët e fundit është duke u ballafaquar me shifra rekorde ditore të të prekurve me COVID-19. E klinikat në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë mbushur me pacientë.

Për të krijuar më shumë hapësira për trajtim të pacientëve me koronavirus, më 20 shtator, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj, tha se ‘Spitali COVID-19’ me 500 shtretër, do të jetë gati shumë shpejt. Ai i është referuar spitalit i cili ishte paraparë për emergjencë, por që në këtë objekt nuk është vërejtur se ka nisur diçka të punohet.

Zemaj tha se procedurat teknike dhe profesionale tashmë kanë përfunduar. Ai besoj që shpejt do nisin punimet por që varet edhe nga procedurat ligjore.

“Edhe sot në takimin e mëngjesit është kërkuar që të shpejtohet dinamika e fillimit të procedurave të prokurimit. Procedurat teknike dhe profesionale më është raportuar se kanë përfunduar, i gjithë procesi tash mund të përmbyllet me hapjen e procesit të konkurrimit. Besoj në ditët e ardhshme shumë shpejt duhet të fillojë sipas procedurave ligjore. Dhe ju e dini se ajo pjesë nuk i takon ministrit të Shëndetësisë që as të përzihet”, tha Zemaj.

Vetëm në 24 orëshin e fundit janë regjistruar 688 raste të reja me COVID-19, ndërsa 11 persona e kanë humbur jetën.