46 për qind e punonjësve medial nuk kanë përfituar nga pako fiskale emergjente, ndërkohë që 43 për qind kanë pranuar mbështetje, madje ka raste edhe kur kanë përfituar vetëm punëdhënësit.

Gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët gjatë kohës së pandemisë përveç vështirësive në raportim, janë përballur me largime nga puna ose zvogëlim të pagës. Ndër tjera, shumë të tjerë kanë pasur rëndim të gjendjes mendore.

Kështu u tha në publikimin e raportit “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në gjendjen ekonomike të gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve”, të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës me mbështetje të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Drejtoresha ekzekutive e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Getoarbë Mulliqi Bojaj ka thënë se ky raport fokusohet në largimet nga puna dhe zvogëlimi i pagave të gazetarëve, ndikimin e Pakos Emergjente në sektorin e mediave dhe mirëqenien fizike e mendore të punëtorëve të mediave gjatë pandemisë COVID-19.

Hulumtuesja Lirikë Demiri, tha se ky raport është zhvilluar nga qershori deri në fund të shtatorit dhe se në anketë kanë marrë pjesë 120 punonjës të mediave.

Sipas Demirit, pandemia ka ndikuar në ndryshim të marrëdhënies së punës të punonjësve medial. Para pandemisë 113 punonjës janë deklaruar që kanë qenë të punësuar me orar të plotë, ky numër ka rënë për 10 pas pandemisë. Po ashtu, ka pasur të anketuar të cilët janë deklaruar se kanë humbur vendin e tyre të punës.

Ajo ka theksuar se 60 punonjës të mediave janë regjistruar gjatë kohës së pandemisë, e që para kësaj periudhe të njëjtit kishin punuar pa kontrata.

Ndër tjera, 77 për qind të anketuarve kanë deklaruar se kanë pasur dezinfektues për duar, 68 se kanë pasur maska mbrojtëse për fytyrë, 67 për qind dorëza një përdorim. 54 për qind prej tyre kanë thënë se është bërë dezinfektimi i ambienteve të punës, 10 për qind që nuk kanë poseduar asnjë mjet mbrojtës, ndërsa 9 për qind nuk patën mjete mbrojtëse.

Lirikë Demiri ka treguar se gjendja mendore e punonjësve medialë është rënduar gjatë kohës së pandemisë.

Gazetarja Jehonë Zhitia ka theksuar se raportimi për këtë sëmundje i cili ka filluar qysh nga shkurti ka qenë sfidë për gazetarët. Ajo u shpreh se gazetarët po vazhdojnë të bëjnë punën e tyre në nivelin e tyre më profesional, pavarësisht se ata po përballen me rrezikun nga sëmundja infektuese.

E gazetari Bujar Vitia theksoi se rëndësia e raportimit të drejtë gjatë kësaj periudhe të pandemisë ka qenë shumë e rëndësishme, meqë vendi dhe jo vetëm po përballej me një diçka të panjohur. Sipas tij, ka qenë vullneti i vetë gazetarëve për të raportuar brenda klinikave ku po trajtoheshin personat e infektuar me COVID-19, me të vetmen arsye që 30 për qind e qytetarëve të Kosovës nuk besojnë në ekzistencën e virusit.

Ai ka shtuar se pakoja ka qenë ndihmë për bizneset, por jo edhe për gazetarët. Sipas tij, ka qenë shumë e nevojshme që punëtorëve medialë t’u ndahen pagesë shtesë, meqë çdo ditë kanë qenë të rrezikuar nga koronavirusi./kp