I shisnin zakonisht 300 euro

I shisnin zakonisht 300 euro

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona nën dyshimin se të njëjtit kanë punuar tema diplome për të tjerët në mënyrë ilegale. Të dyshuarit njoftimin e kanë bërë përmes platformave online ku edhe kanë caktuar çmimin për shërbimin në fjalë.

“Hetuesit policorë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Prishtinë, në fillim të këtij viti, kanë filluar hetimet pasi në rrjetin social (Facebook) dhe në faqen e blerjeve online ‘merr-jep’, kanë hasur njoftime të tilla si: ‘punojmë tema diplome…’, duke vendosur edhe çmimin e këtij shërbimi (zakonisht 300 euro).”, thuhet në komunikatën e policisë.

Po ashtu bëhet e ditur se Policia për këtë dukuri ka njoftuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe ka kërkuar lejimin e masave të fshehta të hetimit, në rastin konkret ‘blerje e stimuluar’. /21Media