Pushteti akuzohet se po miraton ligje në kundërshtim me Kushtetutën
Opozita, e cila betejën me pushtetin po e zhvillon edhe në Gjykatën Kushtetuese, konsideron se është fituese në rastin e Ligjit për Këshillin Prokurorial dhe Ligjin për zyrtarët publikë. Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, vlerëson se edhe Ligji për tatimin në pronë do të rrëzohet nga ky insitiucion, pasi është antikushtetues.
“E keni të qartë tashmë se sa betejat si opozitë i kemi fituar në raport me këta njerëz të padijshëm në Gjykatën Kushtetuese. Këta janë edhe të padijshëm edhe të dëmshëm. Të bësh një veprim të tillë që cenon direkt pavarësinë e nivelit lokal të komunave duhet me qenë, ose i marrë, ose shumë i padijshëm. Pasi ta bësh me vetëdije një veprim të tillë i cili është jokushtetues atëherë s’ka si të jetë ndryshe veçse me qenë i marrë. Nëse e kanë bërë pa vetëdije këta janë të padijshëm pasi gjërat bazike që duhet me i ditë një qeveri, këta nuk po i dinë”, tha Tahiri.
Kritikë ndaj Qeverisë janë edhe në Institutin e Kosovës për drejtësi, pasi sipas Naim Jakajt, kjo legjislaturë në Kuvend ka më së shumti ligje të dërguara në Gjykatën Kushtetuese. Gjithashtu thekson se Qeveria e Kosovës nuk është duke draftuar ligje në pajtim me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare.
“Kjo legjislaturë ka ligje më së shumti të dërguara në Gjykatën Kushtetuese dhe ligje që më së shumti i ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese… Sa i përket përmbajtjes se si është duke shkruar qeveria në raportet e IKD-së ne kemi evidentuar probleme kushtetuese të shkrimit të këtyre ligjeve. Ta zëmë Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës Civil, Ligji për fuzionimin ose integrimin e agjencive të pavarura, ku Agjencia për Ndihmë Juridike Falas ka hyrë nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë. Një ligj i tillë nuk është dërguar nga opozita, por ligji përmban të meta kushtetuese dhe nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha Lakaj.
Në anën tjetër, deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, kritikon opozitën se po tenton që përmes Gjykatës Kushtetuese t’i bllokojnë reformat e iniciuara nga Qeveria Kurti.
“Motivi i opozitës është në dy pika, e para për të vonuar reforma të caktuara të qeverisë. Dërgimi në Gjykatën Kushtetuese po merr një periudhë të gjatë të shqyrtimit, eventualisht aktgjykimit përfundimtar mbi përputhshmërinë e një ligji me Kushtetutën e Kosovës. Në rrafshin e parë po synojnë të vështirësojnë qeverisjen duke i vonuar reformat. Motivi i dytë është krejtësisht inkriminues do të thosha unë në kuptimin e mbrojtjes së interesave individuale dhe grupore që kanë”, tha Rrustemi.
Aktualisht në Gjykatën Kushtetuese janë duke u shqyrtuar Ligji për paga në sektorin publik, Ligji për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Ligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg si dhe Ligji për pagën minimale dhe ai për tatimin në pronë./21Media