Pushteti kundërshton kërkesën për uljen e akcizës dhe heqjen TVSH-së për naftën

(Lajm i përditësuar)


Pushteti kundërshton kërkesën për uljen e akcizës dhe heqjen TVSH-së për naftën

Kuvendi i Kosovës është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme në lidhje me rritjen e çmimit të naftës, i cili sot në Kosovë u raportua se ka shkuar deri në dy euro.

Kjo seancë është thirru nga LDK. Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një rezolute në Kuvend ka kërkuar uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën, si dhe subvencionim të naftës për sektorët më të ndjeshëm, duke paralajmëruar se rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës po rrezikon të thellojë krizën ekonomike dhe sociale në vend.

Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, bëri të ditur se rezoluta e LDK-së kërkon nga Qeveria uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 për qind në 8 për qind, si dhe subvencionimin e çmimeve të naftës për sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë – bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

Rezoluta u mbështet edhe nga dy partitë e tjera opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Mirëpo, ky propozim u kritikua nga partia në pushtet.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kritikuar propozimin e opozitës për uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën, duke thënë se kjo masë do të kishte efekt shumë të vogël për qytetarët, por humbje të mëdha për buxhetin e shtetit.

Murati deklaroi se ulja e akcizës për 16 centë për një familje që shpenzon rreth 50 litra naftë në muaj përkthehet në rreth 8 euro kursim në muaj. Sipas tij, kjo shumë është e vogël për qytetarët, ndërsa për buxhetin e shtetit do të nënkuptonte rreth 10 milionë euro më pak të hyra në muaj.

Ai akuzoi opozitën se këto propozime nuk po bëhen për qytetarët, por për bizneset që, sipas tij, i mbështesin këto parti.

“Nuk e kanë për qytetarët, por për bizneset që i mbështesin këto parti. Ulja e akcizës për 16 centë për një familje që shpenzon 50 litra naftë në muaj përkthehet në 8 euro. Ju kujtohet kur kemi filluar shtesat e fëmijëve me 10 euro, këta thonin se janë vitra e tash propozimi i tyre është uleni akcizën t’i kursejnë 8 ero në muaj, e për shtetin kjo përkthehet në 10 milionë euro më pak të hyra në muaj”, u shpreh Murati.

Edhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka kritikuar propozimin e opozitës për uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën.

Kusari-Lila në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, tha se vendimi për ulje të akcizës dhe TVSH-së është vetëm vendim i lehtë dhe i shpejtë, por me dëm të madh.

“Kërkesat kryesor në raport me heqje të akcizës dhe TVSH-së, të cilat po konsistojnë në vazhdimësi duke u përsëritur, janë e para vetëm të lehta dhe mendimi se kemi bërë diçka, por nuk është ideja për të sjellë vetëm vendime të shpejta e të lehta me dëm të madh. Ideja është për të bërë analiza të mirëfillta dhe për të ruajtur mirëqenien e atyre që kanë nevojë të ruhen më së shumti me mekanizma shtetëror”, tha Kusari-Lila.

Ndërsa, gjatë ditës së sotme u raportua se çmimi i naftës në disa pompa të benzinës ka shkuar në 2.03 euro për litër sot,  Kusari-Lila nga seanca e jashtëzakonshme bëri thirrje që qytetarët të raportojnë operatorët që kanë bërë shkelje të vendimit të Ministrisë.

Ajo tha se sipas marzhës së përcaktuar, nafta sot mund të shihet me çmimin më të lartë 1,83 cent. Kusari-Lila tha se çdo çmim mbi 1,83 cent duhet të raportohet.

“Zyrtarisht sot nafta sipas marzhës së përcaktuar, mund të shitet me çmimin më të lartë 1,83 cent. Kudo që nafta është dy euro ju ftoj ta raportoni menjëherë, një fotografi e thjeshtë kryen punë për të pasë dënimin dhe sanksionin që këta operatorë kanë bërë shkelje të vendimit të Ministrisë”, tha Kusari Lila.


Abdixhiku: Nga kriza e naftës po përfitojnë vetëm bizneset, falë garancive të Qeverisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për menaxhimin e krizës së naftës, duke thënë se të vetmit që po përfitojnë janë bizneset, të cilave, sipas tij, u garantohet fitimi nga Ministria e Industrisë, Tregtisë, Ndëmarrësisë dhe Inovacionit (MINT), për shkak të çmimit tavan.

Për deklarimet e ministrit të Financave, Hekuran Murati, se kjo seancë është thirrur nga opozita për mbrojtjen e bizneseve, kryetari i LDK-së ka thënë se për 4-5 vjetët e fundit bizneset janë përfitueset kryesore nga kriza e naftës.

“Luftat nisin e përfundojnë, një gjë që mbetet konstante sipas terminologjisë së Vetëvendosjes është fitimi i garantuar prej MINT-it për bizneset e Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

Ai shtoi se opozita nuk kërkon të mbrojë fitimet e garantuara, por të ngritë një shqetësim në mënyrë të qytetëruar.

Abdixhiku përmendi dy alternativa: ose të presin zhvillime ndërkombëtare, si thirrja e ministrit të Jashtëm Glauk Konjufca për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, ose të ndërmerren masa konkrete brenda vendit. Ai theksoi se masat aktuale për të vendosur çmim tavan për karburantet nuk po funksionojnë, duke shtuar se çmimi ka arritur sot në 2 euro për litër.

“Dy alternativa i kemi para vetes: Presim që thirrja e ministrit tonë të Jashtëm Glauk Konjufca për hapjen e Ngushticës së Hormuzit të ndodhë e që nuk besoj të bëhet nga Ayatollahi i ri, dhe e dyta është që të marrim masa e që duhet të ndodhë. Nëse është puna te çmimi tavan, lajm i keq është se s’po funksionon. Çmimi sot ka shkuar 2 euro”, shtoi Abdixhiku.


Kusari-Lila: Prekja e TVSH-së apo akcizës ndikon vetëm tek operatori, jo te qytetari

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka kritikuar propozimin e opozitës për uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën.

Kusari-Lila tha se vendimi për ulje të akcizës dhe TVSH-së është vetëm vendim i lehtë dhe i shpejtë, por me dëm të madh.

“Kërkesat kryesor në raport me heqje të akcizës dhe TVSH-së, të cilat po konsistojnë në vazhdimësi duke u përsëritur, janë e para vetëm të lehta dhe mendimi se kemi bërë diçka, por nuk është ideja për të sjellë vetëm vendime të shpejta e të lehta me dëm të madh. Ideja është për të bërë analiza të mirëfillta dhe për të ruajtur mirëqenien e atyre që kanë nevojë të ruhen më së shumti me mekanizma shtetëror”, tha Kusari-Lila në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për çështjen e naftës.

Edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kjo masë do të kishte efekt shumë të vogël për qytetarët, por humbje të mëdha për buxhetin e shtetit.


Hoti: Dje e pardje çmimi i naftës u rrit për 14%

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në seancën e Kuvendit të Kosovës, e thirrur sot për të diskutuar mbi çështjen e çmimit të derivateve, ka paralajmëruar se kjo krizë do të rezultojë me çmime më të larta.

Pasojat do të shihen më tutje tha deputeti i LDK-së, prandaj Hoti bëri thirrje që rezoluta e propozuar nga kjo parti për uljen e çmimit të naftës, të votohet.

“Pa asnjë dyshim, presim dhe janë analizat e bazuara, që kjo krizë do të rezultojë me çmime më të larta që do stabilizohen në nivele më të larta dhe normalisht me rritje ekonomike më të ulët. Si rezultat të gjitha ekonomitë po i bëjnë përgatitjet e duhura me masat më emergjente qe duhet të ndërmerren në situata të tilla. Pasojat po i shohim gjerësisht.”

Sipas Hotit, vetëm dje dhe pardje, çmimi është rritur për 14%.

“Mes datës 2 dhe 3 prill, çmimi i naftës është rritë me 14%, çmimi i furnizimit në burim, me 14%”, tha ai.


Hamza: Qeveria po sillet si vëzhgues pasiv i gjendjes ekonomike, barrën e paguajnë qytetarët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për rritjen e çmimit të naftës dhe ndikimin e saj në koston e jetesës, ka kritikuar Qeverinë për qasjen e saj pasive ndaj situatës ekonomike.

Sipas tij, institucionet po qëndrojnë si vëzhgues përballë një krize që po rëndon drejtpërdrejt mbi qytetarët.

“Paramendojeni situatën kur ngritet çmimi i biletave – a beson dikush që, kur ulet nafta, kthehet edhe çmimi i biletave në nivelin paraprak? Jo, këto mbesin”, tha Hamza.

Hamza deklaroi se rritja e çmimit të naftës ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve të tjera. Sipas tij, edhe kur çmimi i naftës bie, çmimet e tjera nuk reflektojnë këtë ulje dhe mbeten të larta.

“Kriza në të cilën ndodhemi është rezultat i faktorëve të jashtëm, por dallimi qëndron në faktin nëse qeveritë janë aktive dhe marrin masa, apo sillen si vëzhgues pasivë, si në rastin konkret. Dhe barrën e paguajnë qytetarët e vendit”, theksoi ai.

Hamza shtoi se rritja ekonomike e viteve të fundit nuk është reale, pasi është shoqëruar me rritje të inflacionit.

“Rritja e çmimeve dhe përkeqësimi i standardit të jetesës kanë sjellë varfërim të qytetarëve. Në shkurt të vitit 2026, krahasuar me shkurtin e vitit paraprak, varfërimi është rreth 6 për qind. Prandaj, ne e përkrahim çdo masë që shkon në drejtim të përmirësimit”, tha Hamza.


Vetëvendosje kundërshton uljen e akcizës për naftën, e cilëson si vendim populist

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një rezolute në Kuvend ka kërkuar uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën, si dhe subvencionim të naftës për sektorët më të ndjeshëm, duke paralajmëruar se rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës po rrezikon të thellojë krizën ekonomike dhe sociale në vend.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Rozeta Hajdari, ka kundërshtuar kërkesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën, duke e cilësuar këtë propozim si ekonomikisht të papërgjegjshëm dhe politikisht populist.

“Po propozohet pra ulja e përkohshme e TVSH-së ose akcizës, subvencionimi i sektorëve më të ndjeshëm përfshirë bujqësinë dhe prodhimin, si dhe mbështetje për transportin publik dhe më shumë, por pa asnjë plan se si do të kompensohen ato. Le ta themi qartë: kjo mund të tingëllojë mirë për ju në aspektin partiak, ju deputetë të opozitës, por është ekonomikisht e papërgjegjshme dhe politikisht populiste. Këto të hyra publike nuk janë abstrakte. Këto të hyra nga buxheti i shtetit janë paga për mësuesit, për mjekët, investime në infrastrukturë, mbështetje për familjet dhe për bizneset.


​LDK prezanton rezolutën, kërkon të merren masa pas rritjes së çmimit të naftës

Shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku Sadriu ka kërkuar nga qeveria që të ndërmarrë masa të menjëhershme për mbrojtjen e qytetarëve nga rritja e çmimeve të naftës. Ajo tha se ekzekutivi urgjentisht duhet të gjej forma për të subvencionuar çmimin e naftës për bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendor.

Në seancë të jashtëzakonshme, ajo ka propozuar rezolutën, për çka kërkoi përkrahjen e deputeteve të Kuvendit të Kosovës.

Para nisjes së debatit parlamentar, deputetja Jehona Lushaku Sadriu tha se kjo seancë është e domosdoshme, meqë siç u shpreh rritja e çmimeve të naftës është baza e krizës ekonomike.

“Kjo seancë e jashtëzakonshme, debat parlamentar është e domosdoshme pasi që rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës nuk është thjesht një lëvizje në treg por është baza e një krize ekonomike dhe sociale me ndikim të drejtpërdrejt në çdo familje dhe çdo biznes të Kosovës. Duke marrë parasysh se edhe para ngritjes së çmimit të naftës, vendi përballej me një normë të lartë të inflacionit prej 6 për qind, mbi këtë rritja e çmimit të naftës përkthehet automatikisht në rritje tutje të çmimeve të të gjitha produkteve bazike dhe shërbimeve pasi që ekonomia jonë varet kryesisht nga importi. Pra, nafta në Kosovë nuk është vetëm një produkt, është çmim bazë i ekonomisë. Përkundër të gjitha këtyre, institucionet e Republikës së Kosovës deri më tani nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të mbrojtur qytetarët, duke e lënë barrën e plotë tek qytetarët”, ka deklaruar ajo.

Në seancë të jashtëzakonshme, Lushaku-Sadriu tha se rritja e çmimit të naftës ka shkaktuar edhe rritjen e kostos së transportit, çmimeve të produkteve bazë dhe uljen e fuqisë blerëse të qytetarëve.

“Qeveria nuk guxon të qëndrojë si spektatore dhe të përfitojë nga rritja e taksave në këto produkte. Rritja e çmimit të naftës ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejt në rritjen e kostos së transportit, rritjen e çmimeve të produkteve bazë dhe uljen e fuqisë blerëse të qytetarëve. Andaj, kjo seancë sot është e domosdoshme për zhvillimin e një debati të mirëfilltë të gjerë parlamentar, lidhur me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të naftës dhe efektin e drejtpërdrejt dhe të tërthortë që kjo ka në jetesën e qytetarëve të Kosovës dhe në ekonominë e vendit tonë. Mbi të gjitha për masat që duhet t’i ndërmarrë qeveria dhe t’i miratojë ky kuvend”, shtoi ajo.

Në nisje të seancës, ajo ka propozuar masat që sipas LDK-së, janë të domosdoshme për mbrojtjen e qytetarëve.

“Kuvendi kërkon nga qeveria uljen e përkohshme të akzicës, qeveria duhet të aplikojë menjeherë ulje të akcizës nga 36 cent në litër në 20 cent në litër me afat të përkohshëm deri në stabilizimin e çmimeve në bursat ndërkombëtare. Nën dy, kuvendi kërkon nga qeveria ulje të përkohshme të TVSh-së në karburante, duke qenë se 18 për qind e TVSh-së rritet bashkë me çmimin, qytetarët paguajnë më shumë taksë më shumë se sa rritet çmimi. Qeveria duhet të ul përkohësisht TVSh-në për naftë nga 18 për qind në 8 për qind deri në stabilizimin e çmimeve. Nën tre, kuvendi kërkon nga qeveria subvencionim të çmimit të naftës për sektorët më të ndjeshëm. Qeveria urgjentisht të gjej forma për të subvencionuar çmimin e naftës për bujqit- bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendor”, përfundoi ajo.

Kjo seancë është ftuar me kërkesë të 41 deputetëve të opozitës.


Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme për naftën

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se sot, në orën 11:00, do të mbahet seancë e jashtëzakonshme plenare, ku deputetët do të shqyrtojnë rritjen e çmimeve të naftës dhe ndikimin e saj në koston e jetesës dhe ekonominë e vendit.

Sipas njoftimit, pikë e rendit të ditës është shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për rritjen e çmimeve të naftës, mungesën e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në koston e jetesës, si dhe në stabilitetin ekonomik të vendit.

Kjo seancë do të mbahet pas kërkesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, kërkesë që u publikua nga Jehona Lushaku Sadriu, kryetare e Grupit Parlamentar të kësaj partie.

Në kërkesë thuhet se rritja e vazhdueshme e çmimeve të naftës nuk është vetëm një lëvizje tregu, por paraqet bazën e një krize ekonomike dhe sociale, me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe në bizneset në vend. Aty theksohet se rritja e çmimeve të naftës reflektohet drejtpërdrejt në shtrenjtimin e produkteve dhe shërbimeve, duke pasur parasysh varësinë e ekonomisë së Kosovës nga importi.

Po ashtu, në dokument vlerësohet se institucionet deri më tani nuk kanë ndërmarrë masa konkrete për të lehtësuar barrën e qytetarëve, ndërsa kërkohet që Qeveria të reagojë dhe të ndërmarrë hapa konkretë.

Ndër masat e propozuara përfshihen ulja e përkohshme e TVSH-së ose akcizës, subvencionimi i sektorëve më të ndjeshëm, si dhe mbështetja për transportin publik.

Back to top button