Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka urdhëruar që programi vullnetar i vaksinimit të masës kundër COVID-19 të nisë javën e ardhshme nëpër Rusi, duke thënë se mësuesit dhe mjekët duhet të jenë të parët që do të marrin vaksinën Sputnik V, shkruan Reuters.

Putin ka dhënë urdhërin në një takim online me ministrat sot, në ditën kur Rusia, që ka numrin më të madh të infektuarve në botë, ka regjistruar 589 të vdekur nga COVID-19 në 24 orët e fundit.

Putini ka thënë se Rusia do të ketë të prodhuara 2 milionë doza të vaksinës brenda pak ditëve.

Sputnik V, është një nga dy vaksina të prodhura në Rusi që kanë marrë aprovimin nga rregullatori në këtë vend, ndonëse nuk është kompletuar faza e testimeve klinike. Në Rusi është duke u prodhuar edhe një vaksinë e tretë.

Rusia ka thënë muajin e kaluar se vaksina Sputnik V është 92 për qind efikase në mbrojtje të njerëzve nga infektimi me COVID-19, bazuar në rezultatet preeliminare.

“Të pajtohemi në këtë – nuk do të më raportosh mua javën e ardhshme, por do të fillosh vaksinimin e masës. Të fillojmë punën”, i tha Putin zëvendëskryeministres Tatiana Golikovas.

“E kuptoj se po përdorni gjuhë shumë të kujdesshme dhe është sigurisht e duhur të jemi të kujdesshëm. Por e di se industria dhe shëndetësia është e gatshme në përgjithësi. Të bëjmë hapin e parë”.

Rusia ka vaksinuar tashmë më tepër se 100 mijë persona të rrezikut të lartë, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Mikhail Murashko, gjatë një prezantimi tjetër para Kombeve të Bashkuara për vaksinën Sputnik V.

Sipas prezantimit, aktualisht po marrin pjesë 45 mijë persona në testimin e vaksinës Sputnik V në mbarë botën.