Qalaj: Ka nevojë për disiplinë më të madhe qytetare

Qalaj: Ka nevojë për disiplinë më të madhe qytetare

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se po operojnë njësoj në të gjithë Republikën e Kosovës gjatë menaxhimit të situatës me Covid-19.

Ndër të tjera, Qalaj ka thënë se ka nevojë për disiplinë më të madhe qytetare në mënyrë që të tejkalohet më lehtë kjo pandemi.

Mbi 8 mijë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, me orar 12 orësh, janë të angazhuar në menaxhimin e situatës në aspektin e sigurisë, në parandalimin e lëvizjes së qytetarëve dhe aktiviteteve të tjera gjatë periudhës kur vendi po përballet me Covid-19.

Disa nga komunat e Kosovës tashmë janë të vendosura në karantinë, si ma së preventive për mos përhapje të virusit dhe shtimit të rasteve pozitive.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, nuk ka dashur të ndalet te çështja e veriut të vendit, ku ditë më parë edhe ajo pjesë u fut në karantinë.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës operon njësoj në gjithë vendin, përfshirë edhe pjesën veriore. “Këto janë sqaruar nga ministri i Shëndetësisë, dhe nuk do të kisha dashur t’i komentoj, mund të them që Policia e Kosovës është duke operuar në tërë vendin dhe duke e menaxhuar situatën ën tëë verndin në mënyrë të njëjtë”, ka thënë Qalaj.

Qalaj tregoi që pjesëtarë e policisë po hasin në shumë raste kur qytetarët po i shkelin masat e vendosur nga niveli qendror dhe lokal, rreth kufizimit të lirisë së lëvizjes.

Vetëm brenda një natë, ka thënë se mbi 100 persona shoqërohen për në polici, që sipas tij është numër mjaft i madh për situatën në të cilën ndodhet vendi. “Në baza ditore, fatkeqësisht Policia e Kosovës duhet të shoqërojë deri në stacionet policore, të arrestojë një numër mjaft të madh të qytetarëve, konsideroj që qytetarët edhe pse në masë të madhe respektojnë të gjitha këshillat, ndalesat, kufizimet e lirisë së lëvizjes, mirëpo ekziston prapë një numër mjaft i madh i qytetarëve, të cilët fatkeqësisht nuk po i respektojnë këto, por Policia e Kosovës duhet t’i shoqërojë ata në stacionet policore, të hapë rast penal ndaj tyre, e në disa raste edhe t’i dërgojë në mbajtje”, ka thënë Qalaj.

E për personat që shoqërohen në qendrat e mbajtjes, Qalaj ka thënë se janë mjaft të sigurt, meqë Policia e Kosovës kujdeset të bëjë dezinfektimin e hapësirave të qendrave të mbajtjes në mënyrë të vazhdueshme. “Ne sikur kujdesemi për vete, për stafin policor, njëjtë bëjmë edhe dezinfektimin edhe të qendrave të mbajtës që i kemi në kuadër të stacioneve policore. Në momentin që dikush arrestohet dhe dërgohet në mbajtje pas vendimit për largimin e tij nga qendra e mbajtjes, ne menjëherë e bëjmë dezinfektimin e asaj hapësire dhe besojmë që janë mjaft të sigurt”, ka thënë Qalaj.

Ai tregoi se deri tani janë konfirmuar pesë pjesëtarë të Policisë së Kosovës të infektuar me Covid-19. “Fatkeqësisht deri më tani i kemi i kemi pesë kolegë tanë të cilët janë prekur kanë rezultuar pozitiv dhe janë duke u trajtuar nga institucionet tona shëndetësore”, ka thënë Qalaj.

Ndërsa disa të tjerë janë dërguar në vetizolim për shkak të kontaktit që kanë pasur drejtpërdrejt me persona të prekur me Covid-19.

Duke theksuar se karantinimi i qyteteve kërkon angazhim shtesë të Policisë së Kosovës, meqë bëhet mbyllja pothuajse hermetike e të gjitha rrugëve, Qalaj shtoi se zyrtarët policor janë të përgatitur edhe fizikisht. “Angazhim shtesë është, meqenëse tani duhet kontrolluar çdo person, çdo veturë nëpër akset kryesore rrugore qëndrimi mjaft i gjatë në këmbë i zyrtarëve policor, prapë po e them janë mjaft të përgatitur fizikisht, mirëpo kërkon një sakrificë mjaft të madhe. Ne e kemi të shpërndarë personelin në të gjitha komunat e vendit dhe rajonet policore, dhe mendoj se do t’ia dalim të menaxhojmë çfarëdo situate” ka thënë ai.

Megjithatë, bën të ditur se janë liruar nga angazhimi pjesëtarë që kanë sëmundje serioze dhe gra shtatzëna.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, në këtë situatë kërkohet disiplinë nga qytetarët në mënyrë që edhe pjesëtarët e sigurisë të mund të menaxhojnë më lehtë situatën e krijuar si pasojë e pandemisë. “Ajo çka ka nevojë është një disiplinë më e madhe, si drejtor i policisë, ne do të bëjmë të pamundurën që të angazhohemi edhe më shumë që të menaxhojmë situatën, çdo polic, çdo zyrtar i policisë do të jep maksimumin që të gjitha masat, të gjitha kufizimet, i gjithë bashkëpunimi me qytetarët të jetë sa më i mirë, mirëpo kërkojmë që qytetari pa dallim komuniteti, të gjithë të qëndrojnë në shtëpi, të ndihmojnë shtetin e tyre në menaxhimin e kësaj situate”, ka thënë drejtori i Policisë së Kosovës.

Ai pranon se fillimi i menaxhimit të kësaj situate ka qenë më i vështirë, por që gradualisht janë përmirësuar sa i përket masave mbrojtëse për zyrtarët policorë.

Qalaj ka thënë se në vazhdimësi pajisen nga Ministria e Shëndetësisë me masa mbrojtëse, e që kohët e fundit kanë pranuar edhe donacione.