Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj sot ka raportuar për menaxhimin e pandemisë nga ky institucion në Komisionin Parlamentar për Siguri.

Qalaj ka thënë se puna e Policisë po vazhdon njësoj, vetëm se po bëhet një vlerësim që fillimisht të kalohet në orarin 8 orësh, e më pastaj të kthehen në vendet normale të punës.

Qalaj ka deklaruar se në komision është pyetur edhe për rastin e deputetit, Behgjet Pacolli.

“Po është diskutuar rasti i z.Pacolli dhe poashtu kam dhënë përgjigjen time sa i përket Policisë së Kosovës. Në fakt pyetja ka pas të bëjë me deklaratën e z.Pacollit dhe neve na takon që të intervistojmë dhe të dimë se çfarë shqetësimi ka ai”, ka thënë Qalaj.

Sa i përket heqjes së rrethojave tek objekti i Qeverisë së Kosovës, Qalaj ka deklaruar kjo është çështje që ka të bëjë më tepër me autoritetet udhëheqëse.

“Zakonisht institucionet e sigurisë bëjnë një analizë më ndryshe, në aspektin e sigurisë jemi më ndryshe, por gjithmonë veprimet ndërmerren në aspektin e gjerë të sigurisë. Nuk mund të them se qeveria ka qenë në kundërshtim, por ne kemi marrë një vendim në kuadër të kësaj”, tha ai.

Qalaj ka treguar se në komision gjithashtu temë diskutimi ka qenë edhe Qendra e Studentëve që është shndërruar në karantinë. /21Media