Shoqëruesi i qenve të Lady Gagas është qëlluar katër herë në gjoks mbrëmjen e së mërkurës në Los Angjelos nga dy persona të cilët me këtë rast kanë vjedhur dy nga tre qentë e saj.

Ryan Fischer, 30 vjeç, kishte qenë duke shëtitur qentë e Gaga-s, Koji, Miss Asia dhe Gustavo, rreth orës 22:00 dje në mbrëmje kur u qëllua jashtë shtëpisë së tij në Sierra Bonita Avenue, transmeton rtv21.tv.

Policia e ka gjetur Fishcherin me vetëdije mirëpo me probleme të mëdha në frymëmarrje. Ai është dërguar me urgjencë në spital në gjendje shumë të rëndë.

Dy nga qentë e këngëtares së famshme amerikane janë vjedhur ndërkaq i treti kishte arritur të ikte, por më vonë është gjetur nga Policia.

Policia ka bërë të ditur se të dyshuarit që e kanë kryer këtë vepër penale janë larguar nga vendi i ngjarjes me një BMW.

Qentë francezë të Lady Gagas janë shumë të kërkuar dhe të shtrenjtë. Ata zakonisht shiten mesatarisht për 1,500 – 3,000 dollarë, megjithatë ata me prejardhje mund të shkojnë deri në 10,000 dollarë./21Media