Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, sot për herë të parë ka reaguar pas kritikave që mori për postimin e tij në Twitter.  Gashi ka thënë se kurrë nuk e kishte qëllim të ofendonte ndokënd kur shpërndau në rrjetet sociale një artikull në të cilin figuronin karikatura të Profetit Muhamed.

Ai kërkoi nga ata që mendojnë se e ka shkelur ligjin ta sfidojnë atë në gjykatë.

“Kushdo që dyshon se unë kam shkelur ligj duke e shpërndarë një artikull që e jep kronologjinë e një akti terrorist, le të më sfidon në gjykatë, në Kosovë ose Francë. Kështu duhet të zgjidhen dilemat në shoqërinë tonë, përmes ligjit, e jo përmes kërcënimeve e dhunës”, ka thënë Gashi.

Gashi ka treguar se ka marrë mesazhe kërcënuese.

“Disa orë më pas doli një deklaratë linçuese ndaj meje dhe ajo i nxiti disa fanatikë që jo vetëm të më ofendojnë e shajnë me gjuhë vulgare (edhe pse ata pretendonin se dikush kishte bërë një vulgaritet!) por edhe të më dërgojnë mesazhe kërcënuese, të cilat i raportohen organeve të rendit. Unë nuk e përkrah e as arsyetoj dhunën”, ka shkruar ndër të tjera Gashi në Facebook.

Edhe pse zakonisht nuk kam dashur të marr pjesë drejtpërdrejt në debatet e brendshme në Kosovë, duke qenë ambasador i…

Posted by Qëndrim R. Gashi on Wednesday, 21 October 2020

 

Ndryshe, kryesia e Bashkësisë Islame në Kosovë i ka kërkuar të hënën Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, që të distancohet nga veprimi i ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, i cili ka shpërndarë në rrjetin social, Twitter, postimin e një gazetareje të së përditshmes franceze, Le Figaro, në të cilën shihet karikatura e Profetit Muhamed./21Media