Qeveria do të përkrahë Malishevën për nevojat emergjente që ka

Ministrja Rexhepi, u njoftua me situatën në Malishevë

Ministrja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Emilja Rexhepi dhe zëvendësi i saj Reshat Nurboja, sot kanë vizituar Komunën e Malishevës, ku janë pritur nga Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe nënkryetari Hajdin Berisha. Qëllimi i kësaj vizite ishte, njoftimi me situatën e përgjithshme në Malishevë, pas paraqitjes së rasteve të të prekurve me COVID-19.

“Ne jemi këtu sot, në emër të Komisionit të Posaçëm për parandalimin e COVID-19, me qëllim të solidarizimit me qytetarët dhe pushtetin lokal të Malishevës, dhe për tu njoftuar me situatën e përgjithshme, menaxhimin e situatës dhe për tu njoftuar me nevojat që ka Malisheva”, tha ministrja Rexhepi, e cila gjithashtu shprehi edhe gatishmërinë e Qeverisë dhe Ministrisë, për ta përkrahur Malishevën për nevojat emergjente që ka në këtë moment, për përballimin e situatës së krijuar, pasi tashmë Komuna e Malishevës është në karantinë.

Kryetari Begaj, pasi e falënderoi për vizitën dhe interesimin, e ka njoftuar ministren Rexhepi, me situatën e përgjithshme në Malishevë, gjatë këtyre ditëve. “Kemi katër raste të konfirmuara me COVID-19, por jemi duke e menaxhuar mirë situatën, pasi në përpikëri po zbatojmë të gjitha udhëzimet që na janë dhënë, si dhe të gjitha vendimet e qeverisë. Ne i kemi marrë të gjitha veprimet për menaxhimin e situatës, brenda mundësive që kemi si komunë dhe pavarësisht situatës, ne do të angazhohemi maksimalisht dhe jemi 24 orë në shërbim të qytetarëve”, tha Begaj. Ai po ashtu e njoftoi edhe me mungesën e mjekëve, pasi tre mjekë janë detyruar të vetizolohen, por edhe me mungesën e medikamenteve dhe në disa raste edhe të miellit, për familje të caktuara.

Edhe nënkryetari Berisha, e ka njoftuar me të gjitha veprimet e komunës, duke filluar nga ngritja e nivelit të gatishmërisë, pastaj zbatimin e masave tjera, sipas vendimeve qeveritare për parandalimin e COVID-19. “Nevojë imediate për ne është furnizimi me medikamente dhe mjete mbrojtëse për punëtorët shëndetësor”. Berisha, tha gjithashtu se situata po menaxhohet shumë mirë, pasi për këtë po kontribuon vetëdija e lartë e qytetarëve dhe qetësia që po tregojnë.

Ministrja Rexhepi, tha se “do të jetë 24 orë në shërbim për ofrimin e mbështetjes komunat, për çdo lloj emergjence që paraqitet”./21Media

Back to top button