Parlamenti i Serbisë votoi qeverinë e re në krye me Ana Brnabiq. Derisa prezantoi planin qeverisës para ligjvënësve, Brnabiq, ndër prioritet e saj ka përmendur edhe interesat e Serbisë në Kosovë duke theksuar se nuk do të heq dorë nga insistimi për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndaj betimit të djeshëm të Brnabiq ka reaguar zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Benik Tahiri.

Tahiri i ka dërguar porosi Brnabiqit dhe 23 ministrave të kabinetit të saj se Republikën e Kosovës e ruan populli i vet e gjaku i dëshmorëve.

“Anëtarët e Kabinetit Brnabic mbrëmë lexuan tekstin e betimit, i cili ndër të tjera thotë: “Betohem për besnikëri ndaj Republikës së Serbisë, me përgjegjësi dhe përkushtim do të përkushtohem në ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë’. Brnabic dhe 23 ministrave të kabinetit të saj ju them se Republikën e Kosovës e ruan populli i vet, gjaku i dëshmorëve, institucionet demokratike dhe e drejta jonë kombëtare e ndërkombëtare”, ka shkruar Tahiri në profilin e tij “Facebook”

Tutje ai e ka quajtur hipokrizi që një njërën anë të kërkohet dialog e normalizim i marrëdhënieve e në anën tjetër të bëhen deklarata të pamatura.

“Është hipokrizi e madhe që në njërën anë të kërkohet dialog e normalizim i marrëdhënieve e në të tjetrën me deklarata të pamatura nxitje të konfliktit! Një gjë është e qartë, Republika e Kosovës kurrë më nuk do të ruhet e kthehet nga Serbia”, përfundon shkrimi i Tahirit.

Ndërkohë, sot pritet të vazhdojë takimi i radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Takimi i sotëm mbahet me ftesë të Emisarit Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak./21Media