Qeveria e Kosovës gjatë ditës pritet ta shfuqizojë Task-forcën Anti-Korrupsion. Ky propozim është bërë i ditur në agjendën e Qeverisë, ku thuhet se do e shqyrtojë propozim-vendimin për shfuqizimin e kësaj Task-force në kuadër të Policisë së Kosovës,

Në lidhje me vendimin për shuarjen e Departamentit Special Anti-Korrupsion në Policinë e Kosovës ka reaguar Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Sipas IKD-së, ky propozim vendim për shuarjen e Task Forcës, bie në kundërshtim me procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, hedhë poshtë të gjitha investimet e bëra nga partnerët ndërkombëtarë në profilizimin e hetuesve në luftën kundër korrupsionit dhe paraqet mesazhin më të keq për institucionet e pavarura se kushdo që vepron në kundërshtim me interesat e politikës, do ta ketë fatin e njëjtë.

“Në këtë drejtim vendimi i Qeverisë për të shqyrtuar mundësinë e shfuqizimit dhe shpërbërjes së kësaj Task Force pa asnjë konsultim publik qoftë në rrafshin institucional apo në raport më partnerët ndërkombëtare dhe shoqërinë civile mund të shihet si hakmarrje e politikës ndaj zyrtarëve të kësaj Task Force. Për më tepër lidhur me punën e kësaj Task Force për çdo vit, Raporti i Progresit të Bashkimit Evropian, ka kërkuar që të promovohet puna e kësaj Task Force, duke përfshirë kërkesën që kjo Task Forcë të specializohet edhe më tutje për të ushtruar mandatin e saj në shërbim të PSRK-së”, thuhet ndër të tjera në reagimin e IKD-së.

IKD ka rekomanduar Qeverinë e Kosovës që mos të ndërmerr veprime të një anshme, që cenojnë drejtpërdrejtë politikat e veta, duke marrë vendime, të cilat në publik kuptohen si vendime të marra në qëllim të kapjes së institucioneve të pavarura./21Media