Qeveria “e ngathtë” në zgjidhjen e problemeve ekonomike

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti për 100 ditë mori disa vendime dhe miratoi disa projektligje, por nuk përmbushi premtimin për reciprocitetin ndaj Serbisë.
Për tre muajt e parë, ekzekutivi nuk nxori asnjë pako të re për rimëkëmbje ekonomike, përveç ndarjes së 6 milionë eurove për bizneset e ndikuara nga masat e izolimit dyjavor.
Qeveria Kurti 2, po ashtu u kritikua nga opozita dhe komuniteti i biznesit për mos zbatimin e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, ligj ky i miratuar nga ish-Qeveria Hoti.
Kryeministri Kurti i cili ishte zotuar për “Barazi dhe drejtësi”, për 100 ditë nuk përmbushi as premtimin për rritjen e pagës minimale nga 170 në 250 euro. Po kështu, ende Kurti nuk i ka takuar drejtuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ani pse këta të fundit kanë deponuar disa kërkesa për takim me kryeministrin lidhur me kërkesat e tyre për të drejtat e punëtorëve që po shkelen çdo ditë.
Kurti po ashtu nuk ka dëgjuar ende as hallet e komunitetit të biznesit për vështirësitë e tyre për pasojat e pandemisë Covid-19.
Në anën tjetër, që në ditët e para të qeverisjes, kryeministri Kurti me anë të një letër-kërkese që i pati dërguar drejtuesve të Bordit dhe drejtorit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kishte kërkuar që të mos marrin asnjë vendim që kanë të bëjnë me procesin e privatizimit.
Në fund të muajt maj kjo Qeveri kishte iniciuar në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Bordit të AKP-së, gjë që gjatë fushatës zgjedhore, lideri i VV-së, Kurti, kishte thënë se synon të shuajë veprimtarinë e AKP-së, duke kaluar asetet e kësaj agjencie në pronësi të fondit sovran, që pritet të formohet.
Ndërkohë më 65 vota pro, dy kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit morën vendim që ky Bord të mos vazhdojë më punën.
Në këtë kohë, deputetët e LVV-së kishin miratuar rekomandimin për pagimin e rrymës për serbët në veri, ndonëse kritikat për ndarjen e 11 milionë nga KOSTT u bën në drejtim të kryeministrit Kurti.
Ndërkohë, para dy jave me iniciativë të deputetëve të LVV në Kuvend, me 70 vota për votuan në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, që parasheh heqjen e homologimit të automjeteve nga BE, Zvicra dhe Norvegjia.
Qeveria në një mbledhje të muajt maj mori vendim që të fillojë rimbursimin e mjeteve të tërhequra nga 10-përqindëshi i Fondit për Kursime Personale (Trusti). Ndërsa, pagesat do të fillojnë nga viti 2023, ashtu siç parashihet edhe me Ligjin për rimëkëmbje.
Që në fillim të mandatit, Qeveria Kurti mori vendim që të ulë shtesat e pensioneve për tre muajt e ardhshëm, dhe ta heqë shtesën prej 30 në 10 euro.
Në mbledhjen e parafundit, ekzekutivi i udhëhequr nga kryeministri Kurti kishte marr vendim që ta mbulojë pagesën rreth 6 milionë euro për policën kufitare për bashkatdhetarët.
Ndërsa, po kjo Qeveri në mbledhjen e saj të fundit miratoi Projektligjin për rishikimin e buxhetit prej 2 miliardë e 516 milionë euro, që parasheh një rritje ekonomike 7.9 përqind.
Njohës të ekonomisë po konsiderojnë se Qeveria e drejtuar nga Kurti, në këtë periudhë më tepër bëri skanim të gjendjes reale nëpër institucione sesa në veprime konkrete.
Profesori universitar Muhamet Sadiku thotë se Qeveria duhet t’i përmbahet prioriteteve, ani pse duket që presioni i bashkësisë ndërkombëtare për dialogun me Serbinë ia devijojë agjendën qeverisëse.
Megjithatë, sipas Sadikut vendi ka të trashëguara sfida serioze ekonomike, dhe pritjet për zgjidhjen e tyre në këto 100 ditë kanë qenë të pamundura.
“Kjo është një periudhë shumë e shkurtë, Kosova ka akumuluar në këto 20 vjet probleme serioze në zhvillimin ekonomik. Prandaj, unë mendoj se përveçse qeveria ka ndërmarrë disa nisma legjislative dhe ka një agjende për zhvillimin e ardhshëm, por nuk është reale që të priten ndryshime të mëdha për 100 ditë. Sepse Kosova përballet me probleme të mëdha, por është mirë që Qeveria e Kosovës të tregoi një kondicion që është brenda objektivave të veta dhe brenda prioriteteve. Se si shkon kjo punë, jemi dëshmitarë se Kosova është nën presionin e disa çështjeve politike që ndërlidhen me dialogun me Serbinë”, thotë ai.
Ndërsa eksperti i ekonomisë Bardh Ahmeti thotë se në tre mujorin e parë, kryeministri dhe vartësit e tij kanë qenë më tepër të angazhuar në studim të gjendjes reale sesa në veprime konkrete për politika zhvillimore.
“Buxhet ka, mekanizma ka, presim nga ta. Ende jemi në pritje të përmbushjes së prioriteteve të para. Institucionet, nga ajo çka kemi kuptuar deri më tash janë më tepër në studim të gjendjes reale, mbledhje të informatave, auditim të proceseve dhe pastaj do të shohim sigurisht edhe veprime konkrete të tyre me politika zhvillimore. Për këtë 100 ditsh”, u shpreh Ahmeti.
Megjithatë, profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku thekson se Qeveria për këtë periudhë mori disa veprime dhe iniciativa, por kërkon llogaridhënie dhe transparencë, e mbi të gjitha të fuqizim të sistemit të drejtësisë, në mënyrë që të ketë investime të huaja.
“Prioritet duhet të jetë futja e llogaridhënies qeverisëse. Gabimet në politikat ekonomike duhet të sanksionohen, duhet të fuqizohet roli gjykatave të Kosovës. Tash po paralajmërohet formimi Gjykatës komerciale. Këto gjykata duhet të sigurojnë gjykime të drejta dhe të pavarura për investitorë jashtëm dhe investitorë të brendshëm, besoj se transparenca dhe llogaridhënies është drejtimi më i duhuri që qeveria të akomodohet me resurset që i ka në disponim për të siguruar rritje ekonomike”, thotë Sadiku.
Për këto 100 ditë pati disa interpelanca me ministra të thirrura nga opozita për pandemi, shëndetësi, ekonomi, por nuk kaloi asnjë projektligj në lexim të dytë./kp

Back to top button