Qeveria e RMV i reagon Kurtit: Përfitimet duhet t’i gëzojnë edhe kosovarët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar ftesën e kryeministrit Dimitar Kovaçevski për pjesëmarrje në samitin e nismës “Ballkani i Hapur” që kësaj radhe do të mbahet në Ohër më 7 dhe 8 qershor.
Në përgjigjen e tij Kurti shkruan se Kosova mirëpret bashkëpunimin rajonal të bazuar në parimet e barazisë dhe se për këtë qëllim është e angazhuar në Procesin e Berlinit, por më tej vazhdon se pikërisht në Procesin e Berlinit, Serbia kërkon trajtim të pabarabartë për qytetarët e Kosovës dhe bllokon çdo marrëveshje brenda Tregut të Përbashkët Rajonal që mundëson bashkëpunim rajonal të bazuar në parimet e barazisë.
“Duke pasur parasysh vlerat e përbashkëta mes dy vendeve tona, është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.
Kur jemi tek promovimin i interesave ruse në rajon përmes Serbisë, të cilin e përmend Kurti, vlen të theksohet se një ditë para se të vijë në Ohër për “Open Balkan”, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq në Beograd do ta presë ministrin e punëve të jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov.
Zëdhënësja e MPJ-së ruse, Maria Zaharova, ka konfirmuar se Lavrov do ta vizitojë Serbinë më 6 dhe 7 qershor.
Të pyetur nga TV21 për refuzimin e Kurtit për pjesëmarrje në “Ballkani i Hapur” nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, janë të qëndrimit se edhe qytetarët e Kosovës duhet të gëzojnë përfitimet që sipas tyre sjell “Open Ballkan”.
“Ballkani i Hapur” e ka dhe do ta ketë gjithmonë politikën e dyerve të hapura. Nisma ekziston për shkak të përfitimeve ekonomike për qytetarët, të cilët duhet t’i gëzojnë edhe qytetarët e Kosovës si pjesë e pandashme e Ballkanit Perëndimor”, thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Përndryshe Kryeministri i Malit te Zi Dritan Abazoviç ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takimin e radhës të “Open Balkan”.Gjatë një aktiviteti në Podgoricë, Abazoviç tha se Mali i Zi nuk i është bashkuar kësaj nisme, por në të kaluarën ka marrë pjesë si vëzhgues në takime. Edhe Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Zoran Tegeltija, ka konfirmuar se do të marrë pjesë në samitin në Ohër./TV21

Back to top button