Qeveria i kthen KOSTT-it dividentën

Qeveria e Kosovës ka marrë sot vendim t’i kthejë ndërmarrjes publike KOSTT dividentën, të cilët e ka paguar, pas kërkesës së kësaj të fundit drejtuar Ekzekutivit.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se KOSTT-i ka kërkuar që t’i kthehet dividenta në mënyrë që të ketë likuiditet shtesë.
“Kemi ndarë 20 milionë euro për të mbuluar një pjesë të mungesës së likuiditetit në tregun energjetik për ndërmarrjen publike KEK, kurse tani ndërmarrja KOSTT-i ka kërkuar që së paku të ketë likuiditet shtesë dhe t’i kthehet dividenta, të cilën e kemi pranuar në kuadër të ligjit të rishikuar të ndarjeve buxhetore këtë vit, në mënyrë që të ketë likuiditetin e nevojshëm të vazhdojë operimet pa pengesa. Si MF e kemi shqyrtuar këtë kërkesë dhe konsiderojmë që është e pranueshme meqenëse ka nevojë pra në tregun energjetik për likuiditet shtesë dhe në anën tjetër ne si qeveri kemi tejkalim të planifikimit të të hyrave për së paku sa është kërkuar që të kthehet dividenta. Kështu që ne si Qeveri nuk është se na paraqet ndonjë problem. Me këtë vendim do të shfuqizohet pjesërisht vendimi që ka kërkuar ndarjen e dividentës, kurse në anën tjetër i mbetet bordit të KOSTT-it që të rishikojë çështjen e deklarimit të pagesës së dividentës pas përmbylljes së auditimit”, tha ai.
Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe Projektligji për Regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, me ç’rast, ministri Murati, tha se regjistrimi i popullsisë do të bëhet gjatë vitit 2022.
“Regjistrimi i popullsisë herën e fundit është bërë në vitin 2011 dhe normalisht do të duhej që në vitin 2021 të bëhej ripërsëritja e regjistrimit. Megjithatë për shkak të pandemisë dhe për shkak që ishte një vit ku kishim dy palë zgjedhje ka qenë e pamundur që të bëhet këtë vit. Prandaj, siç e theksoi edhe kryeministri regjistrimi i popullsisë do të bëhet vitin e ardhshëm, pra gjatë vitit 2022”, tha ai.
Qeveria miratoi edhe Projektligjin për Policinë Ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se është e rëndësishme që të rregullohet me ligj misioni dhe statusi i Policisë Ushtarake.
“Përcakton misionin, organizimin, autorizimin dhe detyrën e Policisë Ushtarake në FSK. Është hera e parë që statusi dhe misioni i Policisë Ushtarake po rregullohet me ligj të veçantë. Duke marrë parasysh faktin që synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO, rregullimi i misionit dhe statusit të Policisë Ushtarake me ligj është një hap drejtë realizimit të këtij synimi strategjik i Republikës së Kosovës. Policia Ushtarake vepron brenda dhe jashtë kazermave të FSK-së”, tha ai.
Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe draft strategjia shtetërore për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollim të pandemisë COVID-19, të cilin e ka prezantuar ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.
“Ka për qëllim parandalimin dhe luftimin e infeksionit COVID-19, masat e veçanta dhe të përgjithshme të mbrojtjes nga COVID-19 dhe dy, parandalimin, menaxhimin dhe kontrollimin e infeksionit COVID-19”, tha ai.
Qeveria miratoi edhe projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për akcizën e produkteve të duhanit, ku ministri i Financave tha se qëllimi i këtij projektligji është ndryshimi i njësisë matëse për përllogaritjen e tatimit të akcizës së produkteve të duhanit.
Po ashtu, kabineti qeveritar miratoi edhe Draftin e Strategjisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2022-2028. Ministri i Bujqësisë Faton Peci, tha se është hera e parë që ministria drafton një strategji të tillë.
“Strategjisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2022-2028 ka për qëllim që sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural ta bëjë gjithëpërfshirës, të qëndrueshëm dhe konkurrent serioz me tregun e brendshëm dhe të jashtëm”, tha ai.
Po ashtu, qeveria miratoi edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tokën bujqësore.
Qeveria e Kosovës mori vendim për ndalimin e ekzekutimit të vendimit të Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve të Kosovës. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se ky vendim i Odës së Avokatëve të Kosovës ka të bëjë me mos caktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare.
“Ndalimin e ekzekutimit të vendimit të Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve të Kosovës, vendim ky që ka të bëjë me mos caktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare në një çështje penale të caktuar. Për shkak të ndjeshmërisë nuk do të ndalem në çështjen penale… MD ka analizuar dhe ka shqyrtuar të njëjtën dhe ka ardhur në përfundim se vendimi i lartcekur nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi. Andaj duke pasur parasysh legjislacionin përkatës në fuqi në bazë të konstatimit të paligjshmërisë së këtij vendimi propozoj ndalimin e ekzekutimit të vendimit”, tha ajo.
Më mbledhjen e sotme, qeveria miratoi analizën juridike për vlerësimin e bazës ligjore të akteve nënligjore të nxjerra nga ministrat. Po ashtu, u miratua edhe analiza juridike për thjeshtimin, bashkimin ose eliminimin e lejeve dhe licencave të lëshuara në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asaj të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe projektligji për Arkivat Shtetërore.

Back to top button