Kurti: Me sulmin ndaj familjes Jashari, Serbia mendoi ta shuante luftën çlirimtare

(Lajm i përditësuar)


Qeveria ia jep në shfrytëzim FSK-së pronat e ish-Aeroportit të Dumoshit

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes që pronat e ish-Aeroportit të Dumoshit t’i jepen në shfrytëzim Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, derisa përmendi pronat në fjalë, tha se janë të një rëndësie të veçantë strategjike për vendosjen e kapaciteteve ushtarake të vendit.

“Pronat që kërkojmë t’i marrim në shfrytëzim janë prona të Republikës së Kosovës, në disa zona kadastrale si Dumosh – Podujevë, Radojevë – Podujevë, Kaqubeg-Podujevë, pra të Aeroportit të Dumoshit dhe Llukar Prishtinë. Këto prona janë të një rëndësie të veçantë strategjike për vendosjen e kapaciteteve ushtarake të vendit tonë, prandaj kërkoj miratimin nga ana e juaj”, tha Maqedonci.


Kurti: Me sulmin ndaj familjes Jashari, Serbia mendoi ta shuante luftën çlirimtare

Kryeministri Albin Kurti tha se rezistenca dhe sakrifica e familjes Jashari shënon kthesën kyçe të historisë së Kosovës. Ai theksoi se kur Serbia e goditi familjen heroike, mendoi se po shuan luftën çlirimtare. Kështu deklaroi ai në fillim të mbledhjes së qeverisë, ku veç tjerash përmendi datat e shënuara gjatë këtij muaji.

Shefi i ekzekutivit para kabinetit qeveritar tha se marsi shënon muajin e rezistencës dhe luftës çlirimtare të UÇK-së. Kurti tha se muaji mars nis me rezistencën dhe heroizmin, e më pas vazhdon me vuajtjen dhe sakrificën dhe përfundon me ndihmën e aleatëve e miqve ndërkombëtare.

“Atëherë kur Serbia goditi familjen Jashari, ajo mendoi se po shuan luftën çlirimtare por në fakt ajo e bëri ushtrinë një popull të tërë. Rezistenca, sakrifica dhe rënia e familjes Jashari shënon kthesën kyçe në historinë tonë më të re të përpjekjeve tona për çlirim. 26-vjetori i Epopesë po shënohet me homazhe, nderime, seancë solemne të Kuvendit të Kosovës, rreshtim të FSK-së në Kazermën “Adem Jashari”, akademi përkujtimore në Prishtinë, natën e zjarreve në Prekaz dhe me koncertin e sheshin e komunës së Skenderajt. Ndërsa, nesër ora e parë e mësimit nëpër të gjitha shkollat e Kosovës do t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së”, deklaroi Kurti.

Ai tha se gjatë muajit mars, Kosova kujton edhe qindra masakra të kryera mbi popullatën civile mbi fëmijë, pleq, gra e burra.

“Muaji mars po ashtu shënon edhe muajin e fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake e policore të Serbisë dhe kësisoj edhe çlirimin përfundimtar të vendit tonë. Këtë vit ky përvjetor do të shënohet me seancë solemne të Kuvendit, me akademi përkujtimore dhe me koncert solemn nga filarmonia dhe opera e Kosovës. Në agjendën shtetërore me 11 mars kemi akademinë përkujtimore në nderim të piktorit dhe dëshmorit Kadri Kadriu, në pjesën veriore të Mitrovicës dhe promovimin e librit “Kujtesa e Kosovës”, rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës”, shtoi ai.

Pjesë e agjendës shtetërore, Kurti shtoi se është edhe manifestimi për nder të përvjetorit të demonstratës studentore në vitit 1881. Shefi i ekzekutivit përmendi edhe ditën e mësuesit, ku tha se të japësh mësim është një ndër thirrjet më fisnike në jetë.

“Marsi është edhe 8 marsi, është dita ndërkombëtare e gruas, dita e përpjekjes dhe luftës për barazi në shoqëri. Synimi ynë për barazi dhe drejtësi nuk ka alternativë. Barazia gjinore është në themel të barazisë shoqërore. Shteti ynë është ndërtuar mbi parimet e diversitetit dhe të gjithëpërfshiejes. Përparimi është përpjekje kolektive, i ndërtuar mbi bazën e bashkëpunimit, ndjeshmërisë dhe solidaritetit. Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, me veprime konkrete ritheksojmë përkushtimin institucional për të shtyrë përpara agjendën e barazisë gjinore në Republikën e Kosovës”, përfundoi Kurti.

Kryeministri Albin Kurti tha se marsi është edhe muaji i shenjtë i Ramazanit, e që sipas tij, sjellë përkrahje dhe bashkim me ata që janë më së shumti në nevojë.

Back to top button