Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti priti sot përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës, me të cilët bisedoi rreth aktualitetit politik dhe ekonomik në vend, sfidat në luftën kundër COVID-19, si dhe për gjendjen e shqiptarëve në Luginë.

Po ashtu, siç informoi zyra e kryeministrit, Hoti theksoi se Qeveria ka miratuar vendimin për themelimin e “Zyrës për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës”, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, e cila do të angazhohet të ndërmarrë masat e nevojshme që të lehtësojë dhe përmirësojë jetën e qytetarëve që jetojnë në atë anë, me theks të veçantë në fushën e arsimit, kulturës dhe ekonomisë.

“Zyra do trajtojë edhe çështjet të tjera që nuk janë listuar në këtë vendim, por që dalin si kërkesa dhe nevoja eventuale nga qytetarët që jetojnë në Luginën e Preshevës”, citohet se tha kryeministri Hoti.

Nërsa, përfaqësuesit e Luginës së Preshevës e falënderuan kryeministrin Hoti për pritjen dhe veçanërisht për themelimin e Zyrës për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës dhe shtuan se intensifikimi i bashkëpunimit është në dobi të dyanshme./21Media