Zyrtarë të Gjykatës Speciale në mëngjesin e sotëm kanë shkuar në shtëpinë e Jakup Krasniqit në Prishtinë.

Avokati mbrojtës, Valon Hasani, ka thënë se gjatë ditës së sotme pritet transferimi i Jakup Krasniqit për në Hagë. Hasani ka bërë të ditur se aktakuza ndaj Jakup Krasniqit është konfirmuar.

Në anën tjetër Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media ka thënë se po i përcjell veprimet e EULEX-it lidhur me ish Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës Jakup Krasniqi.

“Kosova, bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e saj në vazhdimësi kanë dhënë shembull të respektimit dhe bashkëpunimit me drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare. Njëjtë do të veprohet edhe kësaj radhe me Dhomat e Specializuara në Hagë, të cilat janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës. Prezumimi i pafajësisë duhet të respektohet në çdo rast përderisa nuk ka një vendim tjetër të gjykatës kompetente”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.

Tutje thuhet se Qeveria e Republikës së Kosovës e njeh si të patjetërsueshëm qëllimin e pastër e të shenjtë të popullit të Kosovës në luftën për liri./21Media