Qeveria e Kosovës sot ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, të 45-tën me radhë, ku ka shqyrtuar dhe miratuar vendime dhe dokumente të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Në mbledhjen e sotme, vendimi i parë i miratuar ishte për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për vazhdimin e mandatit të Komisionit qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politik. Me ndryshimet e aprovuara, në bazë të vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në vend të Artan Abrashit, përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës u emërua Donika Kadaj Bujupi, ndërsa sipas propozimit të Shoqatës së Juristëve, përfaqësues nga Shoqatat e Juristëve u emërua Mazllum Baraliu.

 Siç ka njoftuar qeveria, me vendimin e aprovuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme, janë aprovuar kriteret për financim të projekteve të komunave nga programi “Për pajisje të teknologjisë informative, avancimi i sistemeve dhe mirëmbajtja”.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga ndërtimi i Rrugës regjionale Osojan-Rakosh në Komunën e Istogut.

Qeveria ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes ndërkombëtare për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në tatimin në të hyra dhe kapital, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Pas shqyrtimit nga kabineti qeveritar është miratuar Koncept dokumenti për përmirësimin dhe avancimin e legjislacionit nga fusha e sigurisë dhe shëndetit në punë. Ky Koncept dokument adreson çështjet e mosrregullimit të mjaftueshëm të bazës ligjore të fushës së sigurisë dhe shëndetit në punë. Sipas tij, duhet definuar përgjegjësitë e punëdhënësit në rastet e aksidenteve në punë, mbulueshmëria e punëtorëve pa kontrata të punës në rastet e aksidenteve në punë, rregullimi i përgjegjësive dhe obligimeve në rastet e sëmundjeve profesionale me mekanizmat mbikëqyrës, si dhe hartimin dhe raportimin e aksidenteve dhe të sëmundjeve profesionale në punë./21Media