Qeveria miraton ligjin e ri për pensione, përfshihen në skemë pensionistët e viteve të ’90-ta

(Lajm i përditësuar)


Kurti, mërgimtarëve: Edhe këtu do të bëhet mirë sikur në vendet ku jetoni

Në fjalën hapëse të mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Albin Kurti iu uroi mirëseardhje mërgimtarëve, duke i njoftuar për punimet që po bëhen në rrugën Prishtinë-Podujevë.

Kurti tha se kjo rrugë është “rruga e mërgatës”.

“Kur të kalojnë andej, mërgimtarët do të shohin se edhe këtu mund të bëhet mirë”, tha Kurti.

“Shumë shpejt, kur të kaloni nga Merdarja në Prishtinë e nëpër shtëpitë tuaja gjithandej vendit, rruga do të jetë vetëm njëra prej gjërave që do e shihni se si edhe këtu mund të bëhet mirë e drejt njësoj sikurse edhe në vendet ku ju jetoni e veproni”, shtoi Kurti.


Qeveria miraton ligjin e ri për pensione

Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Kryeministri Albin Kurti tha se me miratimin e këtij ligji do të sigurohet trajtimi i barabartë për të gjithë pensionistët dhe do të rritet mirëqenia sociale.

“Përmes tij do të adresojmë çështjen e pabarazisë disavjeçare, të mosnjohjeje të së drejtës pensionale në skemën e pensionit kontributpagues, të një numri të madh të pensionistëve të cilët nuk përmbushin kriterin prej 15 vjetësh kontribut në sistemin pensional”,  tha Kurti.

Sipas tij me këtë ligj ligj do të eliminohet padrejtësia ndaj atyre që janë larguar dhunshëm nga puna në vitet 90’.

“Ky projektligj është në linjë me premtimin tonë për trajtimin e barabartë për të gjithë dhe rritje të mirëqenies sociale. Përmes tij do të adresojmë çështjet e pabarazisë disa vjeçare, mosnjohjen të së drejtës pensionale në skemën e pensionet kontribut pagues për një numër të madh të pensionistëve që nuk e përmbushin kriterin prej 15 vitesh kontribut në ish-sistemin pensional. Me vendosjen e këtij sistemi ishte bërë një prerje e menjëhershëm në mes të dy formave të rregullimit të sistemit pensional duke e bërë një tranzicion nga sistemi i gjeneratave në atë të vetëfinancimit, e dujke e lënë anash një gjeneratë të tërë të pensionistëve. Për ta eliminuar këtë diskriminim për të gjithë ata që janë larguar dhunshëm nga puna në vitet e 90 si qeveri po shtojmë një skemë të re pensionale, skemën e pensionit parcial kontribut-pagues”, ka thënë ai.


Kurti mbledh ministrat

Qeveria e Kosovës do të mbajë mbledhje sot. Zyra e Kryeministrit njofton se mbledhja do të mbahet duke filluar nga ora 9:00 në ndërtesën e Qeverisë.

Nuk është bërë i ditur rendi i ditës./21Media

Back to top button