Qeveria miraton projektligjin për çmimet tavan

(Lajm i përditësuar)


Qeveria miraton projektligjin për shtetësinë e Kosovës

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla prezantoi Projektligjin e ri për Shtetësinë e Kosovës.

Në mbledhjen e Qeverisë, ai tha se me këtë nismë do të ketë lehtësime për diasporën për rikthimin e shtetësisë për ta.

“Në esencë, kjo nismë është një iniciativë strategjike e Qeverisë për të afruar legjislacionin tonë me praktikat më të mira ndërkombëtare. Përmes këtij projektligji realizojmë premtimin e qeverisë për lehtësimin maksimal të procesit të rikthimit të shtetësisë për diasporën tonë, të cilëve për shkak të kufizimeve në shtetet e tyre, iu është dashur të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës”, deklaroi ministri.


Qeveria miraton projektligjin për çmimet tavan

Projektligji për masat për produktet bazë në treg të destabilizuar është risjellë për miratim sot në mbledhjen e Qeverisë. Projektligji, i cili është sjellë për herë të dytë, është miratuar nga anëtarët e ekzekutivit.

Kryeministri, Albin Kurti tha ky ligj garanton furnizimin dhe çmime të përballueshme për produktet bazë në kohë krize dhe parandalon fitimet e pajustifikuara në kurriz të qytetarëve.

Ai shtoi se për herë të parë do të krijohet një mekanizëm i pavarur, i cili vendos, siç tha Kurti mbi bazën e interesit publik e jo të interesave të ngushta.

“Që prej vitit 2020 kur filluam të qeverisnim jemi përballur me sfida të mëdha globale, secilës prej tyre i jemi përgjigjur me seriozitet e përgjegjësi dhe kemi ndihmuar secilën kategori shoqërore, natyrisht ata që kanë më shumë nevojë. Kemi nisur edhe iniciativën për çmimet tavan për të evituar fryrjen artificiale të çmimeve. Ky ligj u pat sfiduar në Kushtetuese nga ana e opozitës. Ja ku jemi shumë muaj më pas me kriza të reja, që prekin edhe xhepin e qytetarëve tanë. Po e risjellim për miratim këtë projektligj sot.

Me këtë ligj nuk po hyjmë në tregun e lirë, por po e mbrojmë lirinë e tregut nga abuzimi. Ky ligj garanton furnizimin dhe çmime të përballueshme për produktet bazë në kohë krize, parandalon fitimet e pajustifikuara në kurriz të qytetarëve dhe për herë të parë krijohet mekanizmi i pavarur, bordi i cili vendos mbi bazën e të dhënave e interesit publik e kurrsesi mbi interesat e ngushta”, tha Kurti në mbledhjen e qeverisë.

Gjatë prezantimit të këtij projektligji, ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari, tha se për masa të përkohshme të rregullimit të çmimeve parashikohet themelimi i një bordi të pavarur, i cili do të emërohet nga Kuvendit dhe do t’i raportojë atij.

Gjykata Kushtetuese e kishte shpallë antikushtetues ligjin për çmimet tavan për produktet bazë, i cili ishte dërguar në gjykatë nga deputetë të opozitës.


Nis mbledhja e Qeverisë, në shqyrtim projektligji për kontrollin e çmimeve

Ka filluar mbledhja e Qeverisë së së Kosovës, ku në fokus është shqyrtimi i projektligjit për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Ky projektligj vjen në një kohë kur vendi po përballet me rritje të çmimeve, sidomos të naftës dhe disa produkteve të tjera bazë, si pasojë e zhvillimeve në Lindjen e Mesme që nga muaji shkurt.

Një ligj i ngjashëm, që parashihte vendosjen e çmimeve tavan, ishte rrëzuar në mandatin e kaluar nga Gjykata Kushtetuese.

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar rëndësinë e zbatimit të ligjit.

“Ne deri më tani na ka munguar deri tani zbatimi i këtij ligji në praktikë, dhe këtë e kanë paguar qytetarët”, tha ai mes tjerash.


Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme për naftën

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se sot, në orën 11:00, do të mbahet seancë e jashtëzakonshme plenare, ku deputetët do të shqyrtojnë rritjen e çmimeve të naftës dhe ndikimin e saj në koston e jetesës dhe ekonominë e vendit.

Sipas njoftimit, pikë e rendit të ditës është shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për rritjen e çmimeve të naftës, mungesën e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në koston e jetesës, si dhe në stabilitetin ekonomik të vendit.

Kjo seancë do të mbahet pas kërkesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, kërkesë që u publikua nga Jehona Lushaku Sadriu, kryetare e Grupit Parlamentar të kësaj partie.

Në kërkesë thuhet se rritja e vazhdueshme e çmimeve të naftës nuk është vetëm një lëvizje tregu, por paraqet bazën e një krize ekonomike dhe sociale, me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe në bizneset në vend. Aty theksohet se rritja e çmimeve të naftës reflektohet drejtpërdrejt në shtrenjtimin e produkteve dhe shërbimeve, duke pasur parasysh varësinë e ekonomisë së Kosovës nga importi.

Po ashtu, në dokument vlerësohet se institucionet deri më tani nuk kanë ndërmarrë masa konkrete për të lehtësuar barrën e qytetarëve, ndërsa kërkohet që Qeveria të reagojë dhe të ndërmarrë hapa konkretë.

Ndër masat e propozuara përfshihen ulja e përkohshme e TVSH-së ose akcizës, subvencionimi i sektorëve më të ndjeshëm, si dhe mbështetja për transportin publik.

Back to top button