Qeveria e Republikës së Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve të lartë të Serbisë në lidhje me viktimat e luftës, të cilët shfaqin mungesë respekti për viktimat e luftës së fundit në Kosovë, si dhe familjet e tyre, të cilat, qe dy e më shumë dekada, vazhdojnë t’i kërkojnë me dëshpërim të afërmit e tyre të rrëmbyer nga forcat serbe.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se qeveria e Kosovës shprehet e zhgënjyer rreth këtyre deklaratave.

“Këto deklarata skandaloze, përveç që fyejnë rëndë të gjitha viktimat e krimeve serbe, dëshmojnë para botës se Beogradi zyrtar, gjatë gjithë këtyre viteve, qëllimisht dhe vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar mijëra civilë të pafajshëm. Qeveria e Republikës së Kosovës e kundërshton këtë mendësi politike dhe presim që këtë ta bëjë edhe bashkësia ndërkombëtare, veçmas Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si faktorë të pazëvendësueshëm të ndërtimit të paqes dhe të perspektivës euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.”, shkroi Hoti.

Ditëve të fundit ministrat serbë Aleksandar Vulin e Ivica Daçiq kanë fyer shqiptarët, por edhe kanë kërcënuar. Vulin iu referua shqiptarëve me termin fyes “shqiptari”, Daçiqi në një emision televiziv pyeti “se çfarë të bëhet me serbët që bëjnë budallallëqe dhe u tregojnë shqiptarëve për varet e tyre nëpër Serbi”. Deklarata e tij u vlerësua si kërcënim për serbët që të mos tregojnë vendndodhjen e varrezave masive të shqiptarëve./21Media

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zhgënjimin e thellë ndaj disa deklaratave publike të zyrtarëve të lartë të…

Gepostet von Avdullah Hoti am Montag, 5. Oktober 2020