Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur gjatë ditës së sotme ka miratuar disa vendime të reja në luftën kundër pandemisë Covid-19. Ndër tjerash, janë ndaluar edhe të gjitha aktivitet sportive në ambientet e hapura dhe të mbyllura. Mirëpo, një gjë e tillë po kundërshtohet nga komuniteti sportiv në Kosovë.

Këto vendime po i kundërshton edhe Federata e Futbollit të Kosovës, pasi që skuadrat, të cilat kanë siguruar pjesëmarrjen në Evropë, duhet të përgatiten për ndeshjet, të cilat do të luhen gjatë muajit gusht.

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu për Kp u shpreh se ky vendim duhet të rishikohet pasi që vendimet po merren pa konsultime me ekspertët e kësaj lëmie. Sipas tij, këto skuadra duhet patjetër të ushtrojnë në mënyrë që të jenë sa më të përgatitura për arenën ndërkombëtare.

“Kemi pasur mbledhje të Komitetit, e kemi diskutuar pikërisht këtë për arsye se duhet me kuptua që nuk mund të merren vendime ad-hok. Jam i sigurt se sonte takohemi me kryeministrin dhe ministrinë e sportit që të kuptojmë që duhet të ketë përjashtime sepse i kemi tri ekipe që marrin pjesë në garat Evropiane dhe kështu kemi probleme të jashtëzakonshme me sistemin, regjimin e vizave sepse ambasadat nuk po punojnë, pastaj në mënyrën e testimit sepse aty mund të kem lojëra shumë dhe ne në fund të fundit nuk e kemi obligim ligjor që për klubet të kujdesemi por e kemi obligim moral sepse klubet tona janë pa përvojë dhe do të ju gjendemi krahë për ti tejkaluar këto probleme. Kuptohet që këto klube, por edhe klubi i femrave që marrin pjesë në garat Evropiane duhet të jenë të përgatitura dhe duhet të ushtrojnë”, tha ai.

Sa i përket shkollave të futbollit, Salihu u shpreh se për to duhet të kenë një pushim deri ka mesi i gushtit, dhe të gjithë duhet të kuptojnë gjendjen alarmante në të cilën është duke kaluar jo vetëm shteti ynë, por edhe disa nga shtetet Evropiane.

“Mendoj që duhet me pas një lloj pushimi për fëmijë, ndoshta deri ka mesi i gushtit, mendimi im personal është, sepse po e them troç dhe e kam thënë gjithmonë. Jam përgjegjës dhe jam i obliguar ta them se nuk ekzistojnë shkollat e futbollit për ti paguar trajnerët, por trajnerët duhet të jenë në shërbim që të ketë sa më shumë lojtar. Këtu formohen klube sa më shumë që të paguhen katër pesë trajnerë, fakt ky që e ka humb edhe qëllimin për të cilin duhet të formohen shkollat e futbollit”, shtoi tutje Salihu.

Se këto vendime janë të ngutura e tha edhe analisti i mirënjohur kosovar, Ardian Llumnica. Sipas Llumnicë,  këto masa janë tejet të ngutura dhe jo të analizuara mirë nga personat përgjegjës.

“Mendoj që janë pak masa të ngutshme dhe jo të analizuara mirë. Në vet faktin se është ndërpre ashtu edhe privohen klubet për tu stërvitur, tregon se puna në teren nuk është mirë. Mendoj që klubet që do të marrin pjesë në arenën ndërkombëtare privohen nga kjo sepse duhet të përgatiten dhe janë në kohë dhe në limit shumë të shkurtër. Mendoj që ministri dhe ministria përkatëse do ta shqyrtojë, mbase edhe nuk ka pasur informacione të plota se si qëndron puna kështu. Edhe tek skuadrat tona, skuadra vendore mendoj që i privon sepse shumë prej tyre kanë nisur përgatitjet për edicionin e ri dhe ne e dimë që përgatitjet duhet të bëhen disa javore dhe nuk ka efekt që të bëhen brenda javës apo 10 ditë”, deklaroi fillimisht Lluminca.

Sa i përket shkollave të futbollit, Llumnica mendon se punë me to nuk duhet të ndërpritet. Ai deklaroi se masat duhet të shtrëngohen por assesi që puna të ndërpritet totalisht.

“Kur jemi te shkollat e futbollit, ministria ka mundur ti shtrëngojë masat por jo ti ndërpresë ato. Puna në grupe me 10, apo me 15 futbollistë ka mundur të jetë një nga modelet dhe transporti i tyre me prind dhe jo të përbashkët. Këto kishin me qenë disa masa të cilat do ti pranonin edhe shkollat e futbollit por edhe shumë praktike në teren”, tha Llumnica.

Kujtojmë që ky vendim për ndërprerjen e aktiviteteve sportive do të hyjë në fuqi nga data 30 i këtij muaji./Kp