Qeveria ukrainase fajëson Rusinë për sulmin e fundit kibernetik

Qeveria ukrainase ka akuzuar Rusinë se qëndron pas sulmit kibernetik të së premtes ndaj dhjetëra faqeve zyrtare të internetit.
Rreth 70 faqe të internetit qeveritare u mbyllën përkohësisht, në sulmin më të madh të tillë në Ukrainë në katër vjet.
Përpara se faqet të dilnin jashtë linje, u shfaq një mesazh që paralajmëronte ukrainasit të “përgatiteshin për më të keqen”. Qasja në shumicën e faqeve u rivendos brenda disa orësh.
SHBA dhe NATO e dënuan sulmin dhe i kanë ofruar mbështetje Ukrainës. Rusia nuk ka komentuar për hakimin.
Ekspertët në ministrinë e informacionit të Ukrainës publikuan një plan kohor se si u përhap lajmi për sulmin, duke theksuar se mediat ruse e raportuan atë përpara mediave ukrainase.
Ata pretenduan se sulmet ishin në përgjigje të asaj që ata e quajtën dështimin e Rusisë në bisedimet e saj të fundit me NATO-n mbi Ukrainën.
Ukraina është vënë nën presion të madh nga fqinji i saj, me një grumbullim prej rreth 100,000 trupash ruse pranë kufijve të saj, transmeton rtv21.tv
Shërbimi i sigurisë SBU i Ukrainës thotë se në vetëm nëntë muaj vitin e kaluar “neutralizoi” 1200 sulme kibernetike ose incidente.
NATO tha se së shpejti do të nënshkruajë një marrëveshje me Ukrainën për bashkëpunimin e zgjeruar kibernetik, i cili do t’i japë asaj akses në platformën e shkëmbimit të informacionit të malware të aleancës.
Shtëpia e Bardhë thotë se do t’i ofrojë Ukrainës çdo mbështetje që i nevojitet për t’u rikuperuar nga sulmi.
Në fillim të sulmit të së premtes, një mesazh në faqet e internetit të hakuara u postua në tre gjuhë, ukrainisht, rusisht dhe polonisht.
“Ukrainas! Të gjitha të dhënat tuaja personale janë ngarkuar në internetin publik. Kjo është për të kaluarën tuaj, të tashmen dhe të ardhmen tuaj”, thuhej në mesazh.
Mesazhi në gjuhën polake përmbante gabime serioze dhe nuk dukej se ishte shkruar nga një folës amtare, sipas një deklarate të lëshuar nga qeveria e Polonisë./21Media

Back to top button