QIKA me aksion simbolik para fillimit të mbledhjes së KPM-së, kërkohet ndalimi i transmetimit të “Big Brother VIP Kosova”

Para fillimit të mbledhjes së Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), të martën, organizata QIKA ka mbajtur një aksion simbolik, përmes të cilit është kërkuar ndalimi i transmetimit të “Big Brother VIP Kosova”.

“Klan Kosova është media seksiste!”, “Ndaleni transmetimin e Big Brother VIP Kosova”, ishin pankartat që mbanin në duar përfaqësueset e kësaj organizate, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në KPM, Niman Racaj, para fillimit të mbledhjes tha se rasti në fjalë mund të vijë në mbledhjen e radhës, por sot trajtohet një rast tjetër i Klan Kosovës, i cili ka të bëjë me skemën programore.

“Ai është për skemën programore, Klan Kosova 2 për ndryshim të skemës programore… është një kanal i licencuar krahas Klan Kosovës që është si kanal primar”, tha Racaj.

Sipas tij, çështja e Big Brother nuk do të diskutohet në këtë mbldhje për shkak të mosplotësimit të kushteve, pra shkaku i lëvizjeve në objektin e ri, pasi të gjitha pajisjet kanë qenë jashtë funksionit dhe se monitorimi ka qenë i pamundur.

Back to top button