Qiramarrësi vret pronarin e stallës së derrave
17 Dhjetor 2020
Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur mëngjesin e sotëm tek liqeni në afërsi të fshatit Goraj të Beratit. Lidhur me rastin është arrestuar autori i dyshuar V. P., 44 vjeç, banues në Kuçovë.
Ngjarja sipas Policisë, ka ndodhur në oborrin e një lokali, ku viktimë mbeti A. G., 41 vjeç.
“Shtetasi V. P. i kishte marrë me qira një stallë derrash 41-vjeçarit dhe kishte mosmarrëveshje të vazhdueshme me të, pasi pretendonte se qiramarrësi e shante dhe e ofendonte përditë”, thuhet në njoftim e policisë.
Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetin tip furgon me të cilin autori tentoi të largohej, si dhe armën e zjarrit kallashnikov me të cilën dyshohet se ka kryer krimin.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./21Media