Lirim shkaku i pandemisë

Lirim shkaku i pandemisë

Që nga paraqitja e rasteve të para me Covid-19 në Kosovë, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mijetuarve  të Torturës ka kërkuar nga të gjitha institucionet përgjegjëse për trajtimin e të dënuarve, ndërmarrjen e masave për lirimin e përkohshëm ose amnistinë e të tyre, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë veprim në ketë drejtim.

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka ndërmarrë masat për parandalimin e përhapjes së Covid-19, por ato, sipas QKRMT-sq, janë të pamjaftueshme për zbutjen e situatës, respektivisht parandalimin e përhapjes së pandemisë apo ndonjë pakënaqësie që mund të rezultojë me ndonjë pasojë më të rëndë nga radhët e të dënuarve apo stafit korrektues.

QKRMT sot është kontaktuar edhe nga të dënuarit e Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, të cilët njoftuan për grevën e urisë në shenjë revolte ndaj institucioneve të cilat nuk po ndërmarrin asnjë veprim për lirimin e tyre gjatë kohës së Pandemisë Covid-19.

Shumica e shteteve qoftë në rajon, Evropë apo edhe më gjerë kanë shfrytëzuar mundësitë ligjore ekzistuese, apo kanë vepruar përmes akteve të reja apo ndryshimeve në legjislacion duke adresuar këtë nevojë, ashtu që numër i madh i të dënuarve kanë përfituar nga lirimi nga dënimit, pezullimi i dënimit, falja, amnistia etj. Duke ditur se legjislacioni aktual që rregullon këtë kornizë në Kosovë nuk ofron ndonjë mundësi për veprime të tilla, QKRMT konsideron që si zgjidhje e vetme mbetet mundësia që përmes ndonjë nisme për ndryshime ligjore apo akt të veçantë si është Ligji për Amnisti etj.) të adresohet kjo çështje, në mënyrë që një numër i të dënuarve të mund të përfitojnë në kushtet e pandemisë“, thuhet në njoftimin e Qendrës.

QKRMT ka kërkuar nga institucionet relevante si Ministria e Drejtësisë, Komisionit për Legjislacion, Komisionit për të Drejtat e Njeriut, shefave të grupeve parlamentare dhe Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që të iniciojnë plotësim-ndryshime ligjore për të adresuar këtë problematikë. Ndërsa nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe gjykatat ka kërkuar që të shfrytëzojnë mundësitë ligjore që ofron legjislacioni penal si: lirimin me kusht, përdorimin e masave alternative ndaj paraburgimit, lirimin e parakohshëm dhe pezullimin e dënimit për shkaqe shëndetësore të të dënuarve.

Lirimi i pjesshëm i të dënuarve me dënime afatgjata, lirimi nga dënimi i të dënuarve me dënime afatshkurta apo lirimi i përkohshëm i të dënuarve për shkak të pandemisë, kjo Qendër thotë se do të ishin modalitete të arsyeshme dhe të pranueshme për rrethanat në të ndodhet vendi.

Po ashtu, QKRMT i bëri thirrje edhe presidentit Hashim Thaçi që duke përdorë diskrecionin e tij, në bazë të kritereve dhe kufizimeve ligjore me Ligjin për faljen, të përfshijë një numër të konsiderueshëm të të dënuarve në një falje gjithëpërfshirëse të tyre./21Media