Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, si reagim të menjëhershëm ndaj COVID-19, dorëzoi sot 20 ventilatorët e parë mobil Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) të blera me fonde të qeverive të Norvegjisë, Zvicrës dhe Luksemburgut. Këta ventilatorë do të ngrisin kapacitetin e kujdesit intensiv të sektorit shëndetësor të Kosovës.

Kontributi i përgjithshëm nga qeveritë e Norvegjisë, Zvicrës dhe Luksemburgut për blerjen e ventilatorëve mobil Vg70 është 1,17 milion dollar, në partneritet me UNDP-në. Falë kësaj mbështetjeje UNDP ka blerë 40 ventilatorë, 20 prej të cilëve u dorëzuan sot ndërsa pjesa tjetër do të dorëzohet deri në fund të muajit qershor.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili pranoi donacionin në emër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi.

“Është nder për mua të pranoj këtë donacion në emër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Dua të falënderoj qeveritë e Norvegjisë, Zvicrës dhe Luksemburgut për fondet dhe UNDP-në për blerjen e ventilatorëve mobilë që do të shpëtojnë jetë. Ne vlerësojmë lartë kontributin dhe mbështetjen tuaj për sistemin shëndetësor në Kosovë në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar të vazhdojë me projekte të përbashkëta edhe në të ardhmen, pasi ta mposhtim krizën”.

Ministri Zemaj tha se nuk ka dhuratë më të mirë për qytetarët e Kosovës në ditën e lirisë se sa një asistencë e rëndësishme për pacientët.

Drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, potencoi se kjo ndihmë në këtë kohë nuk mund të matet me para.“Falënderoj ambasadorët është një nder i veçantë me marrë një donacion kur kemi nevojë. Ventilatorët janë 20 sot dhe 20 vijnë nesër për gjithë ata që kanë nevojë. Vlera është e madhe kur është e dedikuar në këtë kohe, nuk mund ta masim me para këtë ndihmë”, tha Sejdiu.

Maria Suokko, përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, tha se UNDP qëndron bashkë me qytetarët dhe institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë, në luftën kundër COVID-19 dhe për të reaguar ndaj ndikimeve të shkaktuara nga pandemia.

“Donacioni i sotëm u bë i mundur përmes kontributit bujar nga qeveritë e Norvegjisë, Zvicrës dhe Luksemburgut, dhe ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës që ata bashkëpunuan me ne në mbështetje të Kosovës në këto kohë të vështira. Ne jemi të përkushtuar ta mbështesim Kosovën për të ngritur kapacitetetet e kujdesit shëndetësor – në përballimin e pandemisë dhe përtej”, tha Suokko.

Ambasador i Norvegjisë, Jens Erik Grøndahl, theksoi se në një kohë shumë të vështirë, që po shkakton presion të jashtëzakonshëm në shërbimet e shëndetit publik, është e domosdoshme të shfaqet solidaritet dhe të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për të forcuar përpjekjet tona të përbashkëta për mposhtjen e pandemisë.

Ambasadori i Zvicrës, Jean-Hubert Lebet, ndërkohë, potencoi se, si partner afatgjatë në zhvillimin social dhe ekonomik të Kosovës, Zvicra është e lumtur të qëndrojë me Kosovën edhe në luftën kundër COVID-19.

UNDP ka bërë të ditur se ventilatorët janë prodhuar në Kinë, të çertifikuar me çertifikatën e BE-së dhe me sigurimin e cilësisë nga Njësia Globale e Prokurimit e UNDP-së në Kopenhagë.

Që nga shpërthimi i COVID-19, UNDP në Kosovë, si Agjenci kyçe e Ekipit të OKB-së në Kosovë (UNKT), është duke mbështetur qytetarët dhe institucionet e Kosovës që të përgatiten, t’i përgjigjen në mënyrë sa më adekuate pandemisë, duke u përqëndruar veçanërisht në më të prekurit./kp