QKUK: Nuk dihen shkaqet e zjarrit, klinikat po funksionojnë normalisht
(Lajm i përditësuar)
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka deklaruar se klinikat po funksionojnë normalisht, pas zjarrit që përfshiu dy lokale brenda oborrit të QKUK-së.
Në njoftim është theksuar se ende nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar zjarrin.
“Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipi emergjent i zjarrfikësve dhe njësiti Policor i Kosovës. Ende nuk dihet se nga çfarë është shkaktuar zjarri. Po ashtu QKUK, njofton qytetarët se klinikat e Qendrës Klinike Universitaret të Kosovës janë duke funksionuar normalisht dhe puna është duke u zhvilluar në rregull”, është theksuar në reagim.
QKUK mbetet pa rrymë pas incidentit me zjarr
Qendra Klinike Universitare (QKUK) ka mbetur pa energji elektrike, si pasojë e një zjarri që ka përfshirë një lokal në orët e hershme të mëngjesit.
Oda e Mjekëve të Kosovës, njofton se si rrjedhojë e mungesës së energjisë elektrike nuk do të mund të ofrojnë shërbime administrative që lidhen me pajisjet elektronike.
“Ju njoftojmë se për shkak të incidentit që ka ndodhur sot në QKUK, kemi mungesë të energjisë elektrike dhe si rrjedhojë e kësaj nuk mund të ju ofrojmë shërbime administrative që ndërlidhen me pajisjet elektronike, deri në rregullimin e këtij problemi”, thuhet në njoftim.
Përfshihet nga zjarri një lokal në QKUK
Një objekt është përfshirë nga zjarri mëngjesin e së premtes në QKUK.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për portalin rtv21.tv ka thënë se nuk ka të lënduar.
“Sot rreth orës 07:00, është raportuar se në QKUK në Prishtinë , një objekt (lokal) është përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit. Nuk raportohet për persona të lënduar”, ka thënë Ahmeti.
Sipas Ametit, aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen./21Media