Ministri i Mbrojtjes Anton Quni sot ka raportuar në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, për zhvillimet e përgjithshme të FSK-së.

Quni, fillimisht i njoftoi anëtarët e  Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, për të arriturat dhe objektivat e përgjithshme të FSK-së.

“Ministria e Mbrojtjes i ka objektivat e deklaruara  që synon t’i arrijë  gjatë këtij viti dhe viteve të ardhshme. Objektivat për vitin 2020 – 2021, janë në shërbim të realizimit të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit, ku përfshihen çështjet: strategji, politika, akte nënligjore, personelin, zhvillimin në karrierë, krijimin e njësive të reja, rikonstruktimin dhe riorganizimin e Ministrisë dhe FSK-së. Ky proces mbështet me të gjitha ato nevoja nga fusha e teknologjisë ushtarake që do të aplikohet brenda FSK-së, dhe këto së bashku kanë një dinamikë deri në vitin 2027, që çdo njësi veç e veç, por edhe FSK-ja në përgjithësi të shpallen të certifikuara me arritjen e kapaciteteve të plota operacionale“, ka thënë Quni.

Quni ka shtuar se, pavarësisht situatës me pandeminë, operacionaliteti i FSK-së është i tillë që të garantojë, që deri në vitin 2027, do të arrijë t’i deklarojë kapacitetet e plota, që FSK të jetë garantuese e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës, të jetë plotësisht e gatshme t’i përgjigjet nevojave të autoriteteve civile për asistencë, dhe e gatshme të zbarkoj jashtë vendit në operacione paqeruajtëse.

Po ashtu, gjenerallejtënant Rrahman Rama, i ka njoftuar të pranishmit me zhvillimet më të reja në planin e përgjithshëm të FSK-së, aktivitetet për realizimin e objektivave dhe planit gjithëpërfshirës  të tranzicionit.

Të pranishëm ishin edhe, Sekretari i përgjithshëm i MM, Faruk Geci, këshilltari ushtarak Kolonel Hamdi Pollomi dhe zyrtarja e lartë e Kabinetit, znj. Martina Dedaj-Kçira. Takimin e udhëhoqi kryetarja e këtij komisioni,  Fatmire Kollçaku–Mulhaxha. /21Media